Gjatë periudhës tetor-dhjetor të vitit të kaluar, interesi i depozitave si në lek, ashtu edhe në euro pësoi rënie.
Paralelisht me këtë, Banka e Shqipërisë raporton edhe për një rritje më të ngadaltë të depozitave në banka, veçanërisht për ato në valutë.
Sipas Bankës Qendrore, kjo ka ndodhur sepse individët kanë depozituar me ritme më të ulëta, ndërsa bizneset kanë tërhequr vazhdimisht para.
“Në vijim të vendimmarrjes nga ana e Këshillit Mbokqyrës për uljen e normës bazë të interesit, diçka e tillë është reflektuar në mënyrë të shpejtë edhe në të gjithë produktet fincnaiare, të ofruara nga sektori bankar. Në mënyrë të pashmangshme, produkti i parë që e ndjen këtë ka të bëjë me interesin e depozitave. Flasim për të gjithë spektrin e depozitave. Bankat reagojnë në përshtatje të normës bazë të interesit. Përtej normës së depozitave, diçka e tillë pasqyrohet edhe te kreditë. Ulja e vazhdueshme e normës së interesit për depozitat, ulin edhe dëshirën ose interesin e qytetarëve shqiptarë për të kursyer”, thotë Elvin Meka, ekspert i tregut bankar.
Në këmbim të fitimeve më të larta, ekspertët sugjerojnë forma të tjera investimi.
“Niveli i edukimit financiar mbetet ende modest për të konsideruar mënyra të tjera investimi. Duhet ende punë dhe kohë për t’u investuar në edukimin financiar të individëve. Kemi investime në fondet e investimeve, që janë institucione të specializuara që merren me menaxhimin afatgjatë të fondeve të qytetarëve. Kemi letrat me vlerë të qeverisë. Qytetarët duhet të kenë informacion më të plotë mbi mënyrën sesi mund të investohet, si mund të hyhet në këtë treg, por edhe si mund të dilet. Sepse shpeshherë ekziston koncepti i gabuar se hyrja në tregun e letrave me vlerë të qeverisë, nënkupton angazhimin e fondeve për një afat të gjatë maturimi, për 7, 10 apo 15 vjet. Por në Shqipëri ekziston mundësia që edhe nëse hyhet në këtë treg për afate të gjata, në momente të caktuara, individi mund të dalë në çdo kohë” , thotë Meka.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë tremujorit të katërt të vitit të shkuar, depozitat pa afat janë ato që mbizotëruan më shumë, duke përbërë 55.7% të totalit./vizionplus.tv





