Sulmet ajrore izraelite nuk janë ndalur ndaj qytetit të Gazës edhe këtë të enjte, ndërsa forcat tokësore janë përballur me militantët  e Hamasit në çdo lagje.

 

19 persona besohet të jenë vrarë nga bombardimet mbi një ndërtesë banimi në afërsi të kampit të refugjatëve Xhabalia në veri të Gazës.

 

Gjashtë të tjerë janë vrarë në një sulm ajror izraelit, në një tjetër ndërtesë në jug të vendit.

 

Militantët palestinezë kanë reduktuar numrin e sulmeve kundër Izraelit që në ditët e para të luftës, megjithëse vazhdojnë të lëshojnë raketa ndaj vendbanimeve civile.

 

Ushtria izraelite ndërkohë ka njoftuar sërish për një korridor të sigurt që palestinezët të mund të lëvizin nga veriu i vendit në Jug.

 

Edhe një ditë më parë, një varg i madh palestinezësh që mbanin në duar flamuj të bardhë u panë duke u zhvendosur drejt jugut për t’i shpëtuar bombardimeve.

 

Por situata humanitare sa vjen e përkeqësohet. OBSH ka ngritur alarmin për një rrezik të shtuar të përhapjes së sëmundjeve për shkak të bombardimeve ajrore izraelite që kanë prishur sistemin shëndetësor dhe aksesin në nevojat bazë.

 

106 kamionë dhe ambulanca hynë në Gaza përmes kalimit Rafah të mërkurën, sipas Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, por sërish furnizimet nuk janë të mjaftueshme për 2.3 milionë banorët që po jetojnë në kushtet e mbijetesës në rripin e Gazës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *