Qeveria gjermane ka marrë përgjegjësinë që të gjejë një zgjidhje për konfliktin në Libi i cili është përshkallëzuar pas revolucionit të vitit 2011 kur u vra diktatori Muamar al-Gadafi. Në konferencën ndërkombëtare të kësaj të diele në Berlin, aktorët ndërkombëtarë diskutojnë alternativat që do të conin drejt fundit të luftës civile.

 

Kryeministri libian, Fajis al-Sarradsh drejton vendin që nga viti 2016 me të ashtuquajturën Qeveri e Unitetit Kombëtar e cila njihet edhe nga OKB, por nuk është e legjitimuar nga zgjedhjet. Trupat e kryeministrit ndodhen nën presionin e forcave të kundërshtarit të tij, gjeneralit,Khalifa Haftar i cili gëzon mbështetjen e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Egjiptit. Ata shohin tek ai një garant të mospërparimit të islamit politik, grupeve xhihadiste po ashtu edhe të Vëllazërisë Myslimane, krahasimisht e moderuar. Haftari mbështetet edhe nga Rusia.

 

Turqia së fundmi është pozicionuar në anën e Al-Sarradshit. Pas një marrëveshjeje të arritur në nëntor me kryeministrin libian, Ankaraja e mbështet al-Sarradshin edhe nga ana ushtarake. Marrëveshja mundëson që disa pjesë të një fushe të madhe me gaz të zbuluar në Detin Mesdhe të kalojnë brenda kufijve detarë të Turqisë.

 

Bashkimi Europian ka si interes kryesor kontrollimin e valës së refugjatëve. Libia luan një rol të madh si stacioni i fundit para Europës. Për këtë arsye BE orientohej drejt një pakti me qeverinë e al-Sarradshit, por qëndrimi nuk është më I qartë pasi Franca, që lufton trupat xhihadiste në zonën e Sahelit, kërkon aleancën me gjeneralin Haftar. Italia, që është më e prekura nga lëvizjet e refugjatëve, kërkon me këmbëngulje mbështetjen e qeverisë së al-Sarradshit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *