Kryetari i PD, Sali Berisha, i bëri sërish apel Avokates së Popullit që të nisë hetimet për mënyrën si po trajtohet në burg kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Berisha, gjatë një konference me gazetarët, theksoi se Partia Demokratike beson se Veliaj është përgjegjës për inceneratorin e Tiranës dhe dosjen e njohur me emrin “5D”, por pavarësisht kësaj, PD beson se të drejtat e njeriut duhet të respektohen edhe për të.
“i kërkoj Avokates së Popullit, të hetojë. Të hetojë këto, sepse asnjëra e as tjetra nuk mund të bëhen. Askush nuk mund të publikojë statuse për të dhe askush nuk mund t’ia ndalojë komunikimet. Thuhet e treta, por këtë prapë është avokate, thuhet se i dërgohen edhe dokumente të tjera, që janë gjëra që nuk duhet të bëhen kurrë nga dosja. Dërgohen për ta intimiduar, për ta bërë.”
Ndërkaq, Berisha sot akuzoi kryeministrin Edi Rama se, në prag të zgjedhjeve parlamentare, ka shpërndarë 450 leje ndërtimi për bandat kriminale, që ato të ndërhynin në zgjedhje në favor të PS. Sipas Berishës, leje ndërtimi në muajt mars–prill të këtij viti kanë përfituar nga banda e Tropojanëve në Durrës, Altin Hajri në Durrës, persona të lidhur me bandën e Suel Çelës, apo edhe persona të lidhur me “Hakmarrjen për Drejtësi”.
“Në qoftë se bëhet analiza e 450 lejeve të firmosura nga Edi Rama dhe mëkëmbësja e tij, Adelajda Rroka, ato bëhen të paktën minimumi 12 ton kokainë të lara, 10 ton heroinë dhe dhjetëra tonelata kanabis. Ato bëjnë të paktën 10 milionë metër katrorë ndërtime dhe territore përreth. Ato bëjnë, pra, de facto narkotizimin e plotë të ekonomisë shqiptare.”
Sipas Berishës, këto leje ndërtimi dhe personat që i kanë përfituar provojnë se 11 Maji ishte farsë elektorale.
/vizionplus.tv





