Berisha thirrje demokratëve dhe qytetarëve: Lini çdo gjë dhe bashkohuni me studentët në këto momente historike

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje demokratëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës së studentëve, të cilën e cilësoi si një moment historik. Berisha kërkoi gjithashtu që pedagogët dhe mësuesit të rreshtohen në krah të studentëve dhe nxënësve.
Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë për dhunën ndaj protestuesve, duke e cilësuar atë si të urdhëruar nga kreu i qeverisë dhe drejtuesit e Policisë. Ai përshëndeti bojkotin e mësimit në universitetet e vendit, duke përmendur fakultetet e Universitetit të Tiranës, si dhe lëvizjet studentore në Elbasan, Vlorë, Shkodër, Durrës dhe Korçë.
“Dhunës së egër barbare të urdhëruar nga Edi Rama dhe vasali i tij Demo, universiteti i Tiranës iu përgjigj në mënyrën më dinjitoze, më të vendosur me grevën e përgjithshme të fakulteteve të këtij universiteti”, u shpreh Berisha.
Ai pretendoi se dhjetëra demonstrues ndodhen në spitale dhe se disa prej tyre kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Berisha solli në vëmendje edhe rastin e një protestuesi që, sipas tij, është dhunuar rëndë nga efektivët e Policisë, duke akuzuar autoritetet për trajtim çnjerëzor të demonstruesve.
Kreu i opozitës kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar si përgjegjës për situatën e krijuar. Sipas tij, shkarkimi i drejtuesve të Policisë nuk do të ishte një zgjidhje, pasi urdhrat për ndërhyrjen, pretendoi ai, vijnë nga vetë kreu i qeverisë.
Berisha iu drejtua pedagogëve dhe mësuesve, duke u kërkuar të mbështesin studentët dhe nxënësit që protestojnë.
“U bëj thirrje të gjithë pedagogëve, pedagogeve, mësuesve, mësueseve, të rreshtohen së bashku me nxënësit e tyre në anën e drejtë të historisë kundër këtij regjimi të urryer”, deklaroi ai.
Në përfundim, kreu i Partisë Demokratike u bëri thirrje edhe biznesmenëve të vegjël që të mbyllin aktivitetet e tyre dhe t’i bashkohen protestës.
“Çdo biznesmen i vogël duhet të ulë qepenat dhe të hidhet në grevë së bashku me rininë studentore kundër regjimit që në fakt ka zhytur në agoni bizneset e tyre”, u shpreh Berisha.
Ai deklaroi se Partia Demokratike do të vijojë ta mbështesë protestën studentore me të gjitha kapacitetet e saj, duke e cilësuar atë si një lëvizje vendimtare kundër qeverisë së Edi Ramës.




