Partia Demokratike do të çojë në Gjykatën Kushtetuese rregulloren e Kuvendit dhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj për emërimin e Kryeministrit Edi Rama.
Pas seancës plenare, lideri i opozitës Sali Berisha mblodhi grupin parlamentar, ku lajmëroi se PD do të godasë në Kushtetuese dekretin i cili parashikon se Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale “Diella”.
“Unë mendoj se, duhet ta nisim urgjentisht këtë dekret në Gjykatën Kushtetuese që të arkivohet në banesën e turpit të historisë. Njerëz të papërgjegjshëm për detyrën që kanë, të aftë të firmosin gjithçka. Sikundër ne duhet të dërgojmë menjëherë në Gjykatën Kushtetuese me kërkesën dhe për pezullimin e vendimit të sotëm të miratimit të ndryshimeve të rregullores në të cilën janë shkelur parimet themelore të Kushtetutës, janë shkelur nenet e saj, germa dhe fryma e saj, është shkelur rregullorja e parlamentit”, tha Berisha.
Në mbledhjen e grupit parlamentar, Berisha caktoi 4 politikanët që do të drejtojnë komisionet që i takojnë opozitës në Kuvend.
Bardh Spahia do të drejtojë Komisionin e Shëndetësisë, Luciano Boçi do të drejtojë Komisionin për Edukimin, Jorida Tabaku Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Informimin, dhe Ina Zhupa Komisionin për Kulturën dhe Diasporën./vizionplus.tv





