Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha reagoi ashpër ndaj deklaratave të bëra nga Komisionerja për Zgjerimin e BE-së Marta Kos për çështjen Balluku. Në një konferencë me gazetarët, Berisha u shpreh se pretendimet e zyrtares europiane se shoqëria shqiptare pranon korrupsionin, janë rraciste.
“Deklarata e komisioneres Marta, një ditë pasi partia e parë fitoi zgjedhjet në Slloveni dhe që nuk foli gjer dje, është një deklaratë e mirëfilltë raciste dhe korruptive. Nëse kemi të bëjmë me korrupsion politik apo korrupsion monetar, kjo është çështje e institucioneve të hetimit të BE. Por të akuzosh një shoqëri se pranon korrupsionin, në një kohë kur mbështet hajdutin me të gjithë peshën që ka Komisioni, pak me thënë, po ngjet si ortak i tij”, tha Berisha
Berisha sqaroi dhe përjashtimet nga partia të dy prej anëtarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak të Durrësit që sipas tij nuk lidhen me mbështetjen ndaj Ervin Salianjit.
“Gjithkush mund të ketë mendime të ndryshme brenda partisë, ne nuk kemi qenë asnjëherë kundër opinioneve ndryshe. Ama nuk lejojmë që të ketë abuzime me postet. Të vish vetëm një herë në muaj në mbledhjen e Këshillit sa për të marrë rrogën dhe të mos paraqitesh më, këtë nuk e tolerojmë”, shtoi Berisha.
Prej ditësh Berisha dhe Salianji janë përplasur në distancë për zhvillimet brenda partisë demokratike. Salianji kërkon të garojë për kreun e Partisë, por berisha e quajti atë të vetëpërjashtuar./vizionplus.tv





