Në të njëjtën orë që socialistët kishin kërkuar mbledhjen e komisionit të posaçëm për reformën territoriale, anëtarët demokratë të këtij komisioni erdhën në seli për të marrë pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar. Vetë kryetari i PD, Sali Berisha, e ka vendosur prej disa javësh që nuk do të ketë bashkëpunim me kryeministrin Edi Rama për asnjë çështje, përfshi reformën territoriale e zgjedhore. Ndaj sot Berisha as nuk e përmendi komisionin e reformës territoriale dhe u përqendrua tek organizimi i protestave kundër kryeministrit Edi Rama.
“Janë me qindra qytetarë që më shkruajnë dhe më thonë se nuk duhet të largohemi nga bulevardi pa larguar Edi Ramën. Ne drejt asaj do të shkojmë. Të themi të vërtetën. Ne drejt asaj do të shkojmë në mënyrë të pashmangshme, në mënyrë të sigurt.”
Sipas Berishës, dosja e hetimeve për zëvendës-kryeministren Belinda Balluku është një prej më të rëndave në Shqipëri. Por, sipas Berishës, nuk do të ketë drejtësi për këtë dosje sa kohë kryeministër është Edi Rama.
“Çdo orë, çdo ditë që kalon për çdo shqiptar bëhet e qartë se dosja Balluku është dosja Rama. Dhe se dosja Balluku ka vetëm një zgjidhje, dorëheqjen e Ramës.”
Sipas Berishës, hetimet e SPAK-ut për numrin 2 të qeverisë dhe hetimet për tenderat e AKSH-it tregojnë si është realiteti në vend.
“Ergys Agasi jep urdhra njëlloj si më parë. Njëlloj. Po, absolutisht. Përcakton, merr vendime se është Rama. Se normalisht, ai duhet të jetë në burg.”
PD ka lajmëruar se pasditen e së martës, në datën 10 shkurt, do të mbahet protesta e radhës.
/vizionplus.tv





