Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha artikuloi sërish akuza ndaj kryeministrit Edi Rama në lidhje me pronat që sipas opozitës familja e shefit të qeverisë ka marrë në jugun e vendit në zonën e Gjipesë. Nga banesa ku ndodhet i izoluar prej pothuaj 8 muajsh, Berisha vendosi ti drejtojë disa pyetje kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se për zonën e Gjipesë familja e liderit të mazhorancës ka kontaktuar një prej arkitekteve më të famshëm të Europës.
“E para, a ke angazhuar o hajdut, arkitektin e famshëm Winy Maas për studimin e 224 mijë metra tokë në Gjipe. A ka bërë arkitekti një studim për resort në këtë zonë. Së fundi sa e ke paguar arkitektin Maas dhe me çfarë fondesh e ke paguar një prej arkitekteve më të famshëm të Europës”, tha Berisha.
Përballë akuzave të partisë demokratike kryeministri Edi Rama reagoi dy herë në fillim të këtij muaji duke sqaruar se së pari pronat e familjes se tij në Vuno nuk ndodhen buzë detit, por në zonën e maleve dhe së dyti se asnjë familjar i tij nuk ka marrë asgjë nga pronat që u takojnë pasi çështja ndodhet në gjykatën e lartë. /vizionplus.tv





