Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i shpallur “non grata” nga SHBA në maj 2021, deklaroi ditën e sotme në një konferencë për gazetarët se po pret që presidenti i zgjedhur Donald Trump të marrë pushtetin në janar. Menjëherë pas kësaj, Berisha tha se do të nisë përpjekjet për heqjen e “non gratës” të cilën e konsideron një njollë të zezë “për ata që e vendosën”.
Berisha: Siç kam theksuar, i gjithë problemi im, dhe vendimi im për moslobim lidhej me ata që kryen grushtin e shtetit ndaj opozitës shqiptare. Me përpjekjen antidemokratike për të kontrolluar opozitën, kontrolluar kryetarin e saj, për ta shndërruar opozitën në një vegël të Edi Ramës.
Tani që ata dorëzojnë pushtetin, unë pres dorëzimin e pushtetit nga ana e tyre, që unë të filloj përpjekjet e mia për të paraqitur këtë akt që do të ngelet, në historinë e demokracisë, si një njollë e zezë për ata që e vendosën.
Pra nuk ka asnjë sekret që ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet tona, por natyrisht duhet që administrata e presidentit Donald Trump të inaugurohet dhe të nisë punën në të gjitha institucionet.
Më 19 maj 2021, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi se Berisha dhe familja e tij janë të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA dhe prandaj edhe ju ndalohet hyrja në vend.
“Veprat e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë e shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrjë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne vazhdojmë të jemi kundër korrupsionit së bashku me partnerët tanë në Shqipëri”, njoftoi zyrtarisht Sekretari Amerikan i Shtetit.




