Lideri i opozitës Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se mban përgjegjësi për shkeljet në koncesionin për sterilizimin. Sipas Berishës, qëndrimi i shefit të qeverisë një ditë më parë për sterilizimin ishte në fakt një presion mbi sistemin e drejtësisë për të mos anuluar koncesionin
SALI BERISHA
“Edi Rama mori dje publikisht një akt flagrant të hapur presioni ndaj gjykatës, e cila me shumë të drejtë pasi ka njohur dosjen ka kërkuar anulimin e kontratës si akt fund e krye korruptiv, si vepër e mirëfilltë penale. Edi Rama dje me sulmin ndaj gjykatës kishte si mesazh të prerë; mjerë ai që guxon të prekë pronën time, për të cilën ai vetë është i aftë të bëjë çdo gjë që ta amnistojë, siç amnistoi ortakun e tij Ilir Beqja.”
Ish-kryeministri argumentoi se kontrata e sterilizimit duhej anuluar për shkak të konfliktit të interesit, duke e mbështetur këtë te roli i të afërmit të ministrit Ilir Beqaj në këtë koncesion.
“Për të realizuar vjedhjen e tij me Edi Ramën, Ilir Beqaj, emëroi me firmën e tij, në kundërshtim flagrant me ligjin e konfliktit të interesit, Genc Burazerin, kushëririn e parë, në komisionin e koncesionit. Pas kësaj, Ilir Beqaj, kushëririn e tij të parë, e caktoi për të bërë studimin e fizibilitetit të koncesionit.”
Berisha iu referua kodit të procedurave administrative për të deklaruar se një kontratë që bazohet mbi konfliktin e interesit është e pavlefshme.
“Deri më sot, asnjë institucion nuk ka ndërmarrë asnjë hap ligjor, pavarësisht se kontrata duhej shpallur menjëherë e pavlefshme. Këtë nuk e ka bërë as SPAK, që aministoi Ilir Beqajn, dhe vetvetiu amnistoi edhe kontratën e korrupsionit të Edi Ramës.”
Prej momentit kur zyrtarë të lartë të ministrisë së Shëndetësisë u arrestuan për koncesionin e sterilizimit, lideri i opozitës Sali Berisha ka artikuluar akuza të ashpra ndaj SPAK-ut, i cili sipas tij amnistoi përgjegjësin kryesor për këtë kontratë ish-ministrin e shëndetësisë Ilir Beqaj.