Partia Demokratike prezantoi “Aleancën për Shqipërinë Madhështore” duke çelur fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit. Kryetari i PD, Sali Berisha shfrytëzoi ceremoninë ku merrnin pjesë përfaqësuesit e 25 partive aleate për të deklaruar se ky është koalicioni që do të kthejë opozitën në pushtet pas 12 viteve opozitë.
“Ky koalicion që paraqitet sot para shqiptarëve përjashton jo vetëm shumicën absolute në distancë të qytetarëve shqiptarë,por përfaqëson në distancë elitën politike dhe të gjithanshme të kombit shqiptar”, tha Berisha.
Kryetari i PD, Berisha, shpjegoi edhe sloganin “Shqipëria Madhështore”, duke theksuar se programi elektoral i opozitës do të mundësojë ndryshimin real të jetës së çdo qytetari.
“Ku e nisim ne ndërtimin e “Shqipërisë Madhështore”? Ndërtimin e “Shqipërisë Madhështore” e nisim te dhimbjet e tyre, te vuajtja e tyre, që vjen nga mospasja, që vjen nga varfëria ekstreme, me zotimin solemn që tre muajt e parë nuk do ketë shqiptar që nuk do marrë 200 euro minimum jetik.
Se rrogë minimale nuk do ketë nën 500 euro. Se rrogë mesatare nuk do ketë nën 1200 euro”, tha Berisha.
Berisha replikoi në distancë edhe me rivalin politik, kryeministrin Edi Rama, i cili ka ironizuar koalicionin opozitar duke iu referuar një prej kryetarëve të këtij koalicioni, Kujtim Gjuzit.
“Çfarë paraqet pala tjetër? Paraqet hardhucë, zhapikë, bretkosa, zhaba dhe tani së fundmi i ka ngelur në gojë Kujtimi, jepja ato mustaqe se çmendet pas tyre”, tha Berisha.
Më pas gjatë një konference me gazetarët Berisha u kujdes të sqarojë pozicionin e tij të ri në raport me SPAK-un, duke theksuar se është kundër shkrirjes së tij.
“Rama tentoi të më bindë të shkrijë SKAP-in e partisë, por dështoi se unë nuk bashkoj kurrë votat me të”, sqaroi Berisha.
Kryetari i PD, Sali Berisha, deklaroi pak javë më parë se do të shkrijë Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, por më pas ai ndryshoi qëndrim duke deklaruar se është për reformimin e SPAK./vizionplus.tv




