Subscribe

Lideri i opozitës Sali Berisha paralajmëroi se nuk do të ketë më stabilitet në Shqipëri nëse reforma zgjedhore bëhet nga Lulzim Basha dhe kryeministri Edi Rama.

 

Gjatë një konference për shtyp me grupin e zgjedhjeve në Pd për raportin përfundimtar të ODIHR për zgjedhjet lokale, ish-kryeministri Berisha komentoi edhe refuzimin e parlamentit për të votuar ndryshimin e anëtarëve të opozitës në komisionin e posaçme zgjedhore, duke e bërë të qartë se Partia Socialiste nuk mund të vendosë cili është përfaqësuesi i PD.

 

 

SALI BERISHA

“Ne nuk do të njohim një akt që përjashton opozitën. Ne nuk mund të njohim kurrë një kryetar që e cakton Edi Rama. Por përgjegjësia do bjerë mbi ata që e çojnë vendin drejt destabilizimit. Nuk ka shqiptar, në 600 mijë shqiptarë që kanë votuar kundër qeverisë, nuk janë as 10 që mund të pranojnë se përfaqësuesin e tyre ta caktojë Edi Rama.”

 

 

Për më shumë se një orë Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij numëruan problematikat që ODIHR ka konstatuar në zgjedhjet lokale, duke nisur nga përdorimi i burimeve shtetërore në favor të Partisë Socialiste, te shqetësimi për fenomenin e shitblerjes së votave, te presioni mbi qytetarët e deri te problemet gjatë votimit e numërimit.

 

Por lideri i opozitës Berisha vendosi t’i bëjë jehonë rekomandimit të ODIHR që lidhet me nevojën për hetimin e krimeve elektorale, një rekomandim që lidhet drejtpërdrejt  me SPAK-un.

 

 

“SKAP-i i partisë e kishte dosjen e farsës elektorale, por nuk bëri asgjë ndaj organizatës kriminale në pushtet.”

 

Pas publikimit të raportit përfundimtar të ODIHR dhe kur nga zgjedhjet e përgjithshme na ndajnë më pak se 2 vjet, sipas Berishës opozita ka vetëm një rrugë ku mund të ecë për të garantuar rregulla të barabarta loje në një proces elektoral.

 

“Thelbi është me protesta të fuqishme dhe përpjekje të tjera komplekse. Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, nuk ka pluralizëm parlamentar. Ne do i mbrojmë ato.”

 

Berisha nuk sqaroi se kur do të nisin protestat e opozitës, por duket se ato do të përbejnë shtyllën kryesore të aksionit politik të demokratëve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *