Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njoftoi se në 23 dhjetor opozita do të protestojë në Tiranë kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë socialiste.
Gjatë një konference me gazetarët Berisha njoftoi datën e protestës, e cila është e para që ai do të udhëheqë pas një viti që ka qenë i izoluar në shtëpi.
“Shqipëria dhe kudo që ndodhen në botë, duhet të bashkohen me 23 në një mosbindje civile që duhet të ketë fuqinë e elektroshokut për regjimin narkodiktatorial të Edi Ramës”, tha Berisha.
Kryetari i PD Berisha pranoi se me fitoren e Donald Trump ne SHBA, ai do të nisë përpjekjet për heqjen e non grates, e cila u vendos nga sekretari i shtetit antony Blinken në majin e vitit 2021.
“Nuk ka asnjë sekret që ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet tona, por natyrisht duhet që administrata e presidentit Donald Trump të inaugurohet dhe të nisë punën në të gjitha institucionet”, tha lideri i opozitës.
Berisha nuk dha detaje për mënyrën se si do t’i ndërtojë listat e kandidateve për deputet dhe nëse ai do të garojë në listën e hapur apo të mbyllur, por kryetari i PD theksoi se nuk do të ndjekë modelin e PS.
“Në qoftë se mendon se Sali Berisha imiton Edi Ramën, është akti i fundit që do bënte para se do vriste veten”, tha ai.
Ndërtimi i listës së kandidatëve për deputet për Partinë Demokratike pritet të jetë i komplikuar, pasi koalicioni opozitar do të dalë me një listë e Sali Berisha duhet të llogarisë vendet e sigurta për aleatët.
Deri tani dihet se drejtuesit politikë do të vendosen në listën e mbyllur, ndërsa pjesa tjetër e kandidatëve do të përcaktohen në bazë të procesit të primareve./vizionplus.tv