Kryetari i PD Sali Berisha shfrytëzoi një takim me demokratët në Manzë të Durrësit, për të lajmëruar se në janar opozita do të do të protestojë çdo ditë para selisë së qeverisë deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Sipas Berishës protestat paqësore do të jenë rruga që opozita do të ndjekë për largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike që do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.
“Tani duhet të betohemi, ditën e caktuar të zëmë sheshin dhe t’i rikthehemi sheshit çdo natë gjersa të përzëmë atë. Të mos mendojmë se rruga është dhuna, jo. Rruga është qëndresa jonë, sheshet. Sheshi duhet të jetë i yni dhe Edi Rama ikën si mi. Nuk mund të qëndrojë aty. Pra, hyjmë në vitin 2026 me një mision, si misionarë, si fatmëdhenj që kemi mundësi të përmbysim një diktaturë të dytë në Shqipëri”, tha Berisha.
Berisha akuzoi qeverinë “Rama” për korrupsion, duke shfrytëzuar dosjen e SPAK-ut për tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe gjetjet e prokurorëve të posaçëm për Ergys Agasin.
“Zyra e Ergys Agasit o miq ishte zyra e kryeministrit. Shkonin aty ministra, gjyqtarë, prokurorë, drejtues agjencish. Pse? Çfarë ishte Ergys Agasi? Ishte kryeministri në hije ato që nuk i bënte kryeministri me ligj i bënte me Ergysin. Ndaj ne nuk lëshojmë këtë herë, më mirë të japë dorëheqjen se populli do të detyrojë të japë dorëheqjen”, shtoi Berisha.
Paralelisht me protestat para kryeministrisë, Berisha lajmëroi radikalizimin e aksionit opozitar në parlament./vizionplus.tv





