Kreu i opozitës, Sali Berisha, paraditen e sotme zhvilloi një takim përmbyllës në Mat. Teksa ndodhemi vetëm 6 ditë larg zgjedhjeve parlamentare, Berisha tha se më 11 maj, matjanët do të ndahen nga një regjim që i ka varfëruar për 10 vite.
Berisha: Të dashur miq, fushata elektorale mbyllet për 3-4 ditë. Fitorja historike e shqiptarëve mbi të keqen i ka ditët e numëruara. Me 11 Maj, me votën tuaj ajo vendoset në fronin që meriton. Ne me 11 Maj, matjanet dhe matjanët, shqiptaret dhe shqiptarët kudo që janë, në Shqipëri dhe jashtë vendit, ndahen nga e keqe e dytë e madhe që u ra në 34 vite si asnjë kombi tjetër në Europë dhe në botë. Ndahen nga regjimi i krimit, i drogës dhe vjedhjes së tyre.
Berisha nga Mati tha se partia e gjithë shqiptarëve duhet të jetë Shqipëria.
Berisha: Dhe çdo njeri që e ndjen se në deje ka gjak shqiptari, duhet të ndjejë një dhimbje të madhe shumë për këtë shkretim të kombit dhe vendit. Duhet të zgjohet fuqishëm për të shpëtuar Shqipërinë nga kjo rrokullisje e madhe njerëzore. Pra, këtu shuhen kufijtë midis partive. Këtu partia e të gjithë shqiptarëve duhet të jetë Shqipëria.
Kreu i opozitës deklaroi se varfëria ka detyruar matjanët dhe shqiptarët që të largohen nga vendi.
Berisha: Nuk largohen se nuk e duan Matin, largohen nga skamja. Këtij kombi i kanë ikur në 10 vite 620 mijë të rinj. Këtij kombi i ka ndodhur që nga viti 2019 gjer sot ka shumë më tepër vdekje se lindje.
Gjithashtu akuzoi qeverinë për vjedhje.
Berisha: Po ndërtojmë rrugë, thotë. Aty janë vjedhjet më të tmerrshme. Do u jap një shifër. Rruga e Kombit është rruga të cilën vetë Behteli e ka shpallur një nga projektet më të vështira që ka realizuar në botë. 27 metra e gjerë, ka kushtuar 10 milionë euro kilometri me gjithë tunelet e gjata të Kalimashit. Rruga e Arbrit, 27 kilometrat e mbetura, 10 metra të gjera, kanë kushtuar 11 milionë euro kilometri. Po i lëmë zonat malore. Po zbresim në fushë. Rruga Lushnje-Fier me 4 korsi ka kushtuar 1 milion euro kilometri e ndërtuar me kompani italiane. Pra, o miq, çfarëdo që jeni, të cilës parti që i përkisni, shikoni se si vidheni në mënyrë të pamëshirë nga këta hajdutë./vizionplus.tv





