Dy ditë pasi kryeministri Rama premtoi rritjen e pensioneve në 200 euro, kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili prej kohësh e ka pasur këtë premtim, i bëri ftesë liderit të mazhorancës të mbledhë parlamentin dhe të votojë rritjen e pensioneve.
Berisha ka sjellë në vëmendje se disa muaj më parë ai ka depozituar projektligjin për vendosjen e minimumit jetik në masën 200 euro, duke theksuar se mjafton që PS të votojë këtë ligj dhe zgjidhet problemi i pensioneve.
“Ligji sillte mes tjerash, në mënyrë automatike, pensionin minimal 200 euro, sepse nuk mund të kishte pas vendosjes së ligjit të minimumit jetik, asnjë shqiptar që merrte më pak se 200 euro. Megjithatë, nëse Edi Rama do të provojë se nuk është një rrenc 2 metra, të thërrasim parlamentin dhe të votojmë ligjin. Të vijë nesër. Grupi ynë parlamentar, deputetët tanë, do lënë çdo gjë dhe do vijnë në parlament të votojnë ligjin. Por nuk ka më keq se të tallesh, të mashtrosh njerëzit në nevojë. Edi Rama kishte 8 miliardë euro në tavolinën e kryeministrit dhe la për pensionistët vetëm 16 milionë euro”, tha Berisha.
Kreu i PD-së prezantoi sot një paketë uljeje taksash që synon të sjellë uljen e çmimeve të apartamenteve, që sot janë të papërballueshme për shumë qytetarë.
“Shkaku themelor i çmimeve stratosferike në ndërtim janë taksat absurde që vendosen mbi sipërfaqen e ndërtimit, të cilat, në fakt, sipas rastit, minimumi 10-fishuan taksën e përparme dhe në raste të tjera edhe 20 apo 30-fishuan atë. Dhe e gjitha kjo iu faturohet qytetarëve, duke ua shndërruar në pamundësi blerje. Ose duke i shndërruar apartamentet në molla të ndaluara. Jo vetëm kaq, por kjo ka një ndikim shumë të fortë tek qiratë. Dhe në vendin me rrogat më të ulëta në Europë, qiratë janë në nivelet më të larta. Ne e ndryshojmë rrënjësisht këtë situatë. Taksa 3 përqind e strehimit social mbi çmimin e shitjes shfuqizohet. Nuk do të ekzistojë. Tarifa 1 përqind e lejes së zhvillimit mbi vlerën e investimit shfuqizohet. Tarifa e rivlerësimit të pronës do ulet nga 5 në 1 përqind”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, Berisha premtoi luftë ndaj krimit, paratë e të cilit, sipas tij, janë futur në ndërtim.
“Merri kullat që ne i quajmë monumente të drogës dhe korrupsionit. Është e faktuar që 80%, ose më shumë, e financimit të tyre nuk vjen nga bankat, vjen nga nëntoka. Vjen nga nëntoka me bekimin e Edi Ramës. A e dini ju kush është mëkëmbësja e Ramës për lejet dhe për projektet? Ajo është zonja Rroko, motra e dy lejtnantëve të Suel Çelës. Faktikisht lejet e ndërtimit dhe projektet i menaxhon Edi Rama me Suel Çelën. Kjo është e vërteta. Zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Zero tolerance”, tha Berisha.
Krahas premtimeve në fushën ekonomike, kryetari i PD-së, Sali Berisha, përsëriti vendosmërinë e tij për të zhdukur reformën në drejtësi, e cila sipas tij ka dështuar./vizionplus.tv





