Kryetari i PD Sali Berisha deklaroi sot se qasja e mazhorancës ndaj kërkesës së SPAK-ut për imunitetin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku po bllokon procesin e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE.
Në një konferencë me gazetarët Berisha deklaroi se disa prej vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë të shqetësuar për zvarritjen që po i bën PS në parlament kërkesës së SPAK-ut për arrestimin e numrit 2 te qeverisë duke theksuar se dosja Balluku dhe dosja për tenderat në Agjensinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit po bllokojnë procesin e integrimit.
“Edi Rama në kundërshtim flagrant me të gjitha zotimet që rrjedhin nga procesi i integrimit, po fakton se ai për interesa të pushtetit të tij, për të mbrojtur veten nga krimet e rënda që ka kryer, është i aftë të marrë çdo vendim pavarësisht se bllokon plotësisht procesin e integrimit në BE. Burime shumë serioze informojnë se për diskutimet e gjera që po zhvillohen në kancelaritë evropiane dhe në BE, në të cilat nuk përjashtohet edhe opsioni i zhbërjes së plotë të procesit të integrimit në BE për shkak të këtyre qëndrimeve antikushtetuese, antidemokratike, antiligjore që mban Edi Rama në rastin e dosjes së tij, por në aparencë Ballukut dhe AKSHI-t”, tha Berisha.
Në raport me deklaratat e figurave të PS se duhet ndryshuar reforma në drejtësi, Berisha përsëriti se PD nuk bëhet pjesë e këtij procesi.
“Partia Demokratike nuk bëhet pjesë në mënyrë absolute e asnjë ndërhyrje”, tha kreu i PD.
Edhe pse prej momentit qe kur mori të pandehur Belinda Ballukun, Berisha ka ndryshuar qëndrim ndaj SPAK-ut duke dalë në mbrojtje të tij, ai sot foli për mercenarë kundër opozitës. Berisha tregoi për një episod të kontrolleve në një kompani me emrin “Mektrin”, si pjesë ë hetimeve për numrin 2 të PD Flamur Noka.
“Pse u kontrollua kompania thoni ju? Na duhen dokumentet e veturës së Flamur Nokës, që ka blerë Flamur Noka, ‘Range’ mos gaboj. Shkuan njërën ditë, i thanë ata s’kemi. Shkuan ditën tjetër, u thanë nxirrni. Çfarë doli. Veturën e kishte blerë Lul Basha. Se është skenë e bukur. Sapo punonjësi i tha që, o zotëri ai nuk ardhur kurrë për të blerë veturë. I dha ai të dhënat e veturës, i tha ai, që këtë veturë e ka blerë Lul Basha, ja ku e ke. As nuk i mori fare dokumentet. Jo. Se krim duhej të ishte për Flamur Nokën”, tha Berisha.,
Kryetari i PD përsëriti apelin drejtuar qytetarëve që t’i bashkohen protestës së opozitës kundër kryeministrit Edi Rama në 10 shkurt./vizionplus.tv





