Kryetari i PD, Sali Berisha, replikoi në distancë me kryeministrin Edi Rama për sekretarin e përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi.
Gjatë një konference me gazetarët, Berisha përsëriti akuzat se Engjëll Agaçi është larguar për shkak të hetimeve nga SPAK, pasi sipas tij nuk ka asnjë fakt që tregon se sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë ka një problem shëndetësor.
“Nuk tregojnë as spital, as klinikë, përkundrazi nga Roma vijnë fotografi në kafene. Po të ishte e vërtetë, ai tregon spitalin, klinikën. Të pyes pak unë këtu Edi Ramën. Po zotrote, kur hoqe zorrën qorre, ç’të shtyu ty të botosh fotografinë ditën e dytë të operacionit, apo ditën e parë? Pse ti operacionin në trupin tënd nuk e mbajte sekret, por e nxorre në publik dhe na mbajte dy javë rresht me zorrën qorre, sa të doli në gojë?”, tha Berisha.
Në raport me SPAK-un, kryetari i PD, Berisha, përsëriti kërkesën për reformimin e këtij institucioni, duke u tërhequr nga ideja për shkrirjen e Prokurorisë së Posaçme.
“Kështu që a pajtohem unë me një prokurori politike? Kurrë. Sepse të pajtohesh me një prokurori politike do të thotë të pajtohesh me diktaturën. Ajo nuk mund të ndodhë. Por, duke thënë këtë, atëherë rruga është një reformim”, shtoi ai.
Berisha, ndërkaq, lajmëroi se zyrtarisht PD do t’i drejtohet KQZ-së me kërkesën për shtyrjen e afatit për regjistrimin e diasporës, pasi sipas tij qeveria vendosi shumë vonë t’i lejojë emigrantët me dokumente të skaduara identiteti të votojnë.
“Kërkoj, dhe zyrtarisht do të paraqesim kërkesën pranë KQZ-së, që të shtyhet afati i regjistrimeve, pasi ky akt ka dalë shumë, shumë, shumë me vonesë”, tha ai.
Nga ana tjetër, Berisha deklaroi se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar që të shtyhet vlefshmëria e dokumenteve të identitetit edhe për qytetarët në Shqipëri, ashtu siç u bë me diasporën.
/vizionplus.tv





