Të shtunën, Partia Demokratike do të zhvillojë protestën e parë në këtë vit elektoral kundër kryeministrit Edi Rama. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas kthimit nga Konventa e Unionit Kristiandemokrat në Berlin, deklaroi se kjo protestë do të shënojë nisjen e betejës elektorale për 11 majin.
“Do të jetë fryma e fitores, protesta e fitores. Nuk ka të ndalur tani opozita, nuk ndalet më gjer më 11 maj ditën e fitores. Quajeni si të duash, unë nuk kam term tjetër përveçse protesta e fitores. Kemi bërë punë shumë me të. Kemi fituar shumë mbështetje për të dhe Edi Rama është tashmë i damkosur si një njeri që grabit zgjedhjet”, tha Berisha.
Lexo edhe :
Related Posts
3 muaj para zgjedhjeve parlamentare, i vetmi ndryshim ligjor që mbetet pezull është ndryshimi i kodit zgjedhor në lidhje me votën e diasporës. Propozimet e PS dhe PD priten të votohet në 13 shkurt, por kryetari i PD, Berisha, përsëriti se nuk mbështet asnjë ndërhyrje në ligj, nëse nuk garantohet vota e shqiptarëve që nuk kanë një dokument biometrik.
“Asnjë votim, asnjë ndryshim nuk bëjmë nëse nuk pranohet ky amendament i yni, që është krejtësisht pa asnjë lloj anësimi politik, por strikt për të respektuar të drejtën kushtetuese të shqiptarëve jashtë vendit. Për ne, ky është kushti. Vota e diasporës vihet në rrezik nëse përjashton dy të tretat e shqiptarëve jashtë vendit”, tha Berisha.
Partia Socialiste ka propozuar që të ndërhyhet në kodin zgjedhor për të afruar afatin e regjistrimit të kandidatëve për deputet, në mënyrë që të prodhohet më herët fleta e votimit dhe diaspora të ketë më shumë kohë për të dërguar votën me postë.
Gjithashtu, PS kërkon të rregullojë në kod pjesën e pagesës së postës, pasi tashmë qeveria ka marrë përsipër të paguajë koston e postës për diasporën. Ndryshimi i tretë i propozuar nga PS lidhet me numërimin e votës së diasporës, i cili do të bëhet nga përfaqësuesit e partive politike, njësoj si numërohet vota brenda territorit të Shqipërisë.
PD ka propozuar ndryshimet në kodin zgjedhor që të garantohet vota e të gjithë shqiptarëve me dokumenta identiteti të skaduara dhe të gjithë shqiptarëve që nuk kanë një pasaportë biometrike të shtetit shqiptar, por kanë një pasaportë italiane, gjermane apo amerikane.
Por sot, qeveria vendosi të mos ndjekë rrugën e propozuar nga PD me ndërhyrje në kod për shtetasit shqiptarë me dokumenta të skaduara identifikimi, duke shtyrë vlefshmërinë e tyre me vendim të Këshillit të Ministrave.
Mbetet për tu parë nëse palët do ta gjejnë apo jo gjuhën e kompromisit deri në 13 shkurt, kur amendamentet do të votohet në parlament./vizionplus.tv






