Berati pret Festivalin e Verës, kantinat nga Shqipëria, Kosova dhe Italia prezantojnë prodhimet e tyre
Mbrëmjen e të enjtes në Berat ka startuar Edicioni i Tretë i Festivalit të Verës “Wine & Stories”. Ai ka mbledhur në qendër të qytetit 41 kantinat më të mira të verës nga Shqipëria, Kosova dhe zona e arbëreshëve të Italisë.
Të vendosura në sheshin qendror, ato ekspozuan prodhimet e verërave dhe rakive të të gjitha llojeve.
Festivali ka tërhequr jo vetëm qytetarët beratas, por edhe turistë të huaj, të cilët kanë shijuar shumëllojshmërinë e verërave.
Kantinat pjesëmarrëse e konsiderojnë këtë festival një mundësi të mirë për promovimin e produkteve.
” Kemi një gamë produktesh nga vera raki dhe gin. Kemi 6 kode verash, 8 lloje raki dhe gin. Gin-in e parë shqiptar”, thotë Altin Driza.
Pjesëmarrja e kantinave në Festivalin e Verës në Berat është shtuar me 13% më shumë se vitin e kaluar.
Eventi do të zgjasë për tre ditë dhe do të përfshijë një sërë aktivitetesh, si pjesëmarrjen e somelierëve më të mirë, ndarjen e çmimeve për kantinat më të mira, degustim të verërave, panaire dhe koncerte. /vizionplus.tv




