Subscribe

 

I zgjedhuri i Himarës, Fredi Beleri, nuk heq dorë nga beteja ligjore për tu betuar si kryebashkiak. Ndaj sot, në Gjykatën Antikorrupsion u mbajt një seancë e posaçme që konsistoi vetëm në lejimin apo jo të Belerit për të kryer betimin.

 

Gjatë seancës ai përsëriti pretendimin se bllokimi që po i bëhet është antikushtetues.

 

“Ka diskriminim politik, ka vendime politike. Kryeministri pozicionohet e mban qëndrim para çdo seance. Humbësi i zgjedhjeve komandon bashkinë e Himarës, kjo nuk është parë në asnjë vend të botës”, tha Beleri.

 

Avokatët e tij argumentuan pse ai duhet të betohet, duke përmendur disa raste të ngjashme.

“Është lejuar betimi i deputetit Azgan Haklaj, është lejuar të votojë reformën në drejtësi deputeti Mark Frroku. Është lejuar shoqërimi i dy të burgosurve Artur Velo e Murat Masha në një televizion, ndonëse nuk parashikohet në ligj. Bashkia Kukës ka lejuar 20 të burgosur të votojnë dhe e ka rregulluar këtë me ligj”, tha avokati.

 

Ndërsa prokurorët Adnan Xholi dhe Dorina Bejko u shprehen se nuk ekziston dispozita ligjore që Fredi Belerit t’i jepet leja e posaçme.

 

Ata thanë se ligji parashikon vetëm rastet e sëmundjes së familjarëve, martesat, vdekjet dhe provimet.

 

Pas seancës e cila u shty për në datën 11 dhjetor, avokati i Belerit nuk e kurseu ironinë ndaj gjyqtarëve të posaçëm.

 

“Ata presin që o të vdesë Beleri, o të vdesin ata, nuk e di. Jo si te Lana, te noterët. Te noterët është lejuar, është bërë, ndërsa këtë nuk e lënë”, tha avokati.

 

Edhe sot seanca është ndjekur nga Ambasadorja greke në Tiranë, Kostantina Kamitsu, mediat greke, si dhe nga deputeti i Parlamentit Europian, Manolis Kefalogianis./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *