Presidenti Bajram Begaj ka bërë thirrje që të zgjidhet sa më parë ngërçi i stokut të lartë të dosjeve në gjykata si një nga problemet më të mëdha që pas miratimit të reformës gjyqësore.
Ai shfrytëzoi takimin që po mbahet në Vlorë me Kryetarët e Gjykatave të Larta vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore për t’i dhënë zë nja nga sfidave më të mëdha që ka drejtësia.
“Në Shqipëri ne kemi ndërmarrë një reformë, e cila ka sjellë zhvillime pozitive të rëndësishme në sistemin e drejtësisë, si: forcimi i pavarësisë dhe rritja e profesionalizmit të Magjistratëve, rritja e transparencës dhe mekanizma të rinj për të parandaluar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Megjithatë, sfidë kryesore mbetet numri i lartë i çështjeve të mbartura, të cilat kanë shkaktuar vonesa në dhënien e drejtësisë duke rënduar mbi qytetarët tanë dhe kërkon zgjidhje urgjente dhe efikase. Mbështes rezultatet e deritanishme të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Gjykatës përkatëse kundër Korrupsionin dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Këto rezultate iu kanë dhënë atyre statusin e institucionit me besimin më të lartë publik në vend”, tha Begaj.
Ndërsa ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se besimi te drejtësia është thelbësor për qytetarët duke theksuar se ai është rritur vitet e fundit.
“Besimi tek drejtësia është thelbësor për qytetarët. Reforma në drejtësi ka patur si themel rritjen e transparencës dhe integritetit në drejtësi. Shqipëria ka ndërmarrë një ndër investimet më të mëdha të rritjes së kapaciteteve në teknologji, të modernizimit të sistemit të drejtësisë. Ky investim është bërë së bashku me mbështetjen nga Bashkimi Europian. Sigurojnë që brenda pak vitesh sistemi i drejtësisë të mbështetet nga shërbime moderne dhe të ofrojë drejtësinë e paanshme për qytetarët”, tha Manja.
Në konferencë foli edhe David Cambell kryetar i Gjykatës se Arizona i cili vlerësoi takimin si mundësi për të shkëmbyer ide, zgjidhje dhe praktika./vizionplus.tv





