E hënë, 16 Nëntor 2026 Film TV deri në 05:45 Në vijim ora 05:45: Takohemi N'vizion Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Begaj pret ambasadorin slloven, Presidenti: Mirënjohës për mbështetjen e Sllovenisë ndaj Shqipërisë

Presidenti i vendit, Bajram Begaj, priti sot Ambasadorin e ri të Sllovenisë në Shqipëri, Jakob Štunf, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Presidenti Begaj i përcolli Ambasadorit Štunf mirënjohjen ndaj Sllovenisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë, duke theksuar se marrëdhëniet mes dy shteteve janë intensifikuar.

Kreu i Shtetit nënvizoi shkëmbimin e vizitave në nivelin më të lartë të përfaqësimit shtetëror Shqipëri-Slloveni gjatë vitit të shkuar dhe shprehu angazhimin për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.

Gjatë bisedës u theksua nevoja për rivendosjen e fluturimeve direkte Tiranë-Ljubljanë, zhvillim i cili do të ndihmonte bashkëpunimin ekonomik, kontaktet midis komuniteteve të biznesit, si dhe shkëmbimet turistike.

“Marrëdhëniet Shqipëri-Slloveni duhet të vazhdojnë të zhvillohen me një frymë të mirë, të lidhur me interesat reciproke, partneritetin në NATO dhe perspektivën e përbashkët evropiane”, theksoi Presidenti i Republikës.

Gjithashtu, Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen e Sllovenisë ndaj Kosovës, aktivizimin në nismat rajonale dhe përkrahjen e politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor./vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë