Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka nisur konsultimet për datën e zgjedhjeve parlamentare.
Gjate paradites kreu i shtetit ka takuar kryetarët e 6 partive të vogla parlamentare për të dëgjuar mendimin e tyre se cila është data më e përshtatshme parlamentare për të zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme.
Agron Duka, Fatmir Mediu, Vangjel Dule e Dashamir Shehi mbështesin idenë që shqiptarët të shkojnë drejt kutive të votimit për të zgjedhur forcën politike që do t’i drejtojë në 4 vitet e ardhshme në datën 4 maj.
Këto 4 parti i kanë përcjellë kryetarit të shtetit shqetësimin se kanë marrë informacion që në datën 9 maj në Tiranë do të zhvillohet takimi i komunitetit politik europian me praninë e 47 kryeministrave të Europës ndaj zgjedhjet nuk mund të mbahen në datën 11 maj.
“Duke qenë se përflitet që me datë 9 ka një aktivitet me pjesëmarrje të kryeministreve të Europës kjo mund të ndikojë në zgjedhje dhe mendoj se data 11 është e papërshtatshme”, tha Agron Duka, kreytari i PAA.
Të njëjtin shqetësim ka përcjellë edhe Agron Shehaj i Partisë Mundësia.
Shpëtim Idrizi i PDIU ka preferuar të mos thotë një datë, por ka bërë të qartë se preferon datat e fundit që lejon Kodi Zgjedhor.
Nesër presidenti do të takoje Partinë e Lirisë, Enkelejd Alibeajn e Lulzim Bashën ndërkohë që të hënën ai ka ftuar në takim Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike.
Burime pranë PD sqarojnë se Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në takim, pasi sipas tyre kreu i shtetit është i gatshëm të plotësojë çdo kërkesë të kryeministrit Edi Rama.





