Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano ka paralajmëruar se Kosova mund të humbasë mbështetjen e aleatëve nëse nuk dëgjon fjalën e tyre e nuk kordinohet për veprimet në veri të vendit.
“Nuk kemi asgjë për të thënë për temën e rihapjes së urës. Vetëm mund të rikujtoj për të gjithë ata të cilët kanë problem të dëgjojnë dhe kuptojnë se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës e kanë thënë qartë dhe pa mëdyshje se është në interes të saj t’i dëgjojë miqtë, ndryshe rrezikon që të mbetet e vetmuar dhe të mbetet prapa”, deklaroi Stano.
I pyetur për kritikat e zyrtarëve të qeverisë në Prishtinë dhe presidentes Osmani, Stano tha se nuk bëhet fjalë për ndonjë marrëveshje të re, por për zbatimin e asaj që është arritur më parë.
“Ne e kemi këshilluar Prishtinën në disa raste, qeverisja e mirë nënkupton që t’u afrohesh dhe t’i angazhosh komunitetet ndaj të cilave kanë ndikim vendimet specifike. Që të merret me çështjen e urës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, do të thotë të diskutohen modalitetet e implementimit të marrëveshjes së arritur për urën e jo një marrëveshje e re”, deklaroi zëdhënësi i BE.
SHBA dhe vendet e Quintit nuk kundërshtojnë hapjen e urës mbi lumin Ibër që lidh Mitriovicën e jugut, të banuar nga shqiptarët me Mitrovicën e veriut të banuar me shumicë serbe, por kërkojnë që kjo të bëhet në kohën e duhur dhe përmes kordinimit.
Ndërsa autoritetet në Prishtinë, refuzojnë të diskutojnë me Serbinë për të marrë një vendim mbi një urë që ndodhet në tërritorin e Kosovës.
Ura mbi lumin Ibër aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorët. /vizionplus.tv





