Bashkimi Evropian do t’i japë sërish ultimatum Serbisë që të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për dhunën në veri të Kosovës gjatë vitit 2023 dhe të bashkëpunojë plotësisht rreth këtyre rasteve.
Kjo thirrje pritet të jetë pjesë e konkluzioneve për zgjerimin, për Serbinë, e që do të miratohen më vonë gjatë këtij muaji në Këshillin e çështjeve të përgjithshme të BE-së.
“Këshilli përsërit thirrjet që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë hapat e domosdoshëm që të sillen urgjentisht para drejtësisë autorët e sulmeve të vitit 2023. Këshilli nënvizon nevojën për llogaridhënie të plotë dhe shpreh keqardhje të thellë që Serbia ka ndërmarrë hapa të pamjaftueshëm në këtë drejtim”, thuhet në deklaratën e Këshillit të çështjeve të përgjithshme të BE-së.
Po ashtu në draftin e këtyre konkluzioneve i bëhet apel Serbisë që të përmbahet nga retorika nxitëse dhe hapat e njëanshëm dhe provokues.
“Këshilli përsërit dënimin e fuqishëm të akteve të dhunës nga protestuesit serbë të Kosovës ndaj qytetarëve, trupave të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë,KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave më 29 maj 2023 dhe sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator 2023 në veri të Kosovës. Nuk ka arsyetim për dhunë”, thuhet në deklaratë.
Në maj të vitit 2023, serbët e veriut të Kosovës kundërshtuan nisjen e detyrës së kryetarëve të rinj shqiptarë, të cilët dolën nga zgjedhjet e prillit të po atij viti. Protestat kulmuan më 29 maj në Zveçan, kur protestuesit u përleshën me pjesëtarët e KFOR-it dhe si pasojë mbetën të plagosur dhjetëra persona.
Ndërkaq, më 24 shtator 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një oficer. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre agresorë serbë./vizionplus.tv





