Procesi i legalizimeve të objekteve informale që po mban peng mijëra tituj pronësie duket se do të marrë një kthesë pozitive.
Të 61 bashkitë e vendit do të shërbejnë si një “zyrë e ndërmjetme” mes agjencisë së kadastrës dhe qytetarëve të interesuar. Ky pritet të jetë roli i njësive vendore në këtë proces, pas njoftimit që bëri një ditë më parë kryeministri në takimin me krerët e bashkive.
“Ky është një proces delikat që në fakt ligji parashikon që duhet të mbarojë në vitin 2028. Por vitet e fundit ritmet në drejtim të tij kanë qenë të ngadalta, ndaj bashkitë do të bëhen pjesë për të koordinuar këtë proces. kjo kërkon burime njerëzore dhe evidence ta qarta të objekteve që janë në fazë legalizimi”, tha Haxhimali.
Por sipas ekspertit të çështjeve vendore Agron Haxhimali, nëse bashkitë nuk krijojnë një zyrë të posaçme që qytetari të ketë kontakt fizik, procesi vështirë se do të ketë ecuri pozitive, pasi shërbimet online në kadastër nuk japin zgjidhje
“Bashkitë duhet të kenë një zyrë të posaçme për të lehtësuar procesin, sistemi i shërbimeve digjitale është një sfidë më vete. Bashkitë duhet të kenë rol lehtësues në këtë drejtim, por në final monopolin e vulës e ka agjencia e kadastrës”, tha Haxhimali.
Deri në fund të vitit 2020 numri total i lejeve të legalizimit të dhëna arriti në 200 mijë. Ende nuk ka një shifër të saktë të lejeve në proces dhe atyre familjeve që ende nuk kanë aplikuar. /vizionplus.tv