Kina shënoi këtë të dielë nisjen e punimeve të Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste. Fjalimin e hapjes e mbajti presidenti Xi Jinping, njëherësh sekretari i përgjithshëm i partisë. Në fjalimin 100 minutësh para 2300 delegatëve ai shpalosi programin për 5 vitet e ardhshme.

 

Ai vlerësoi suksesin e partisë në mbrojtjen e sigurisë kombëtare, stabilitetit social, zhvillimin ekonomik dhe premtoi të çojë përpara kauzën e ribashkimit me Tajvanin.

 

XI JINPING

 

PRESIDENTI I KINËS

 

Zgjidhja e çështjes së Tajvanit është një çështje e kinezëve, që duhet të zgjidhet nga kinezët. Ne do të vazhdojmë të përpiqemi për ribashkim paqësor me sinqeritetin më të madh dhe përpjekjet maksimale, por nuk do të premtojmë kurrë se do të heqim dorë nga përdorimi i forcës dhe rezervojmë opsionin për të marrë të gjitha masat e nevojshme.

 

Presidenti kinez theksoi se bashkatdhetarët e tij në Tajvan nuk duhet ta marrin atë si një kërcënim, pasi sipas tij Pekini ka treguar gjithmonë respekt dhe kujdes.

 

Udhëheqësi kinez njoftoi gjithashtu se nuk ka ndryshim në politikat që kanë tensionuar marrëdhëniet me Uashingtonin.

 

XI JINPING

 

PRESIDENTI I KINËS

 

Duhet të fokusohemi në përshpejtimin e zhvillimit ushtarak dhe teknologjik për të nxitur ripërtëritjen e kombit kinez. Krahu ushtarak i partisë, duhet të ruajë dinjitetin dhe interesat thelbësore të Kinës. Ne do të punojmë më shpejt për të modernizuar teorinë ushtarake, personelin dhe armët. Do të përmirësojmë aftësitë strategjike të ushtrisë.

 

Xi Jinping theksoi gjithashtu se sfida globale e Covid është prezente dhe se Kina nuk do e ndryshojë politikën e saj të “Zero Covid” pavarësisht pakënaqësive apo protestave për mbylljen e miliona qytetarëve brenda shtëpive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *