Subscribe

Të shtunën mbushen 31 vjet nga dita e krijimit të Partisë Demokratike, por ky 11 dhjetor shënon momentin më të vështirë për forcën më të madhe të opozitës.

 

Lideri historik i së djathtës, Sali Berisha dhe të paktën 4.200 delegatë të Kuvendit do të mblidhen në stadiumin “Air Albania” jo thjesht për të shkarkuar Lulzim Bashën, por në një përpjekje për të ndryshuar vetë Partinë Demokratike.

 

OERD BYLYKBASHI
ANETAR I KRYESISE, PD

“Po mblidhet organi më i lartë i PD dhe mblidhet në një situatë të rëndë të vështirë për PD një situatë krize që ka ardhur për shkak të një lidershipi, i cili ka marrë në mënyrë të vazhdueshme vendime që kanë çuar njëra pas tjetrës këtu ku jemi; në humbjen e demokracisë brenda partisë me pasoja më pas edhe ne performancën e Partisë Demokratike.”

 

Kuvendi do të nisë në orën 10.00 dhe pritet të zgjasë rreth 4 orë. Për tu bërë pjesë e tij janë ftuar jo vetëm delegatët, por edhe anëtarë të PD, përfshi edhe figura politike që ndër vite janë larguar nga zoti Basha. Procesi për të cilin organizatorët janë kujdesur më shumë është ai i verifikimit të delegatëve dhe secili prej tyre është i pajisur me mandatin e delegatit që ka një bar code dhe kartën e identitetit për të shuar çdo dyshim se shumica e delegateve do të jenë të shtunën në stadium.

 

Vendimi i parë që Kuvendi merr është miratimi i statutit të ri i cili sipas Bylykbashit synon të rikthejë normalitetin në Partinë Demokratike në mënyrë që më pas të nisë projektimi i një lidershipi që çon pd drejt fitores.
Ky statut përfshin të gjitha premtimet që Berisha ka artikuluar në këto 3 muaj; legalizon fraksionet, vendos primaret për deputetet, forcon votën e anëtarëve, i jep më shumë kompetenca forumeve e jo zyrtarëve të PD, dhe padyshim pjesë e tij është dhe neni Basha.

 

“Kryetari kur humbet zgjedhjet, përfundon mandati, nuk jep doreheqjen. Kryetari që humbet zgjedhejt për arsye se është i paaftë për ta çuar në fitore partinë apo për arsye se nuk ka qenë i aftë të përballojë motivet e jashtme, në të dyja rastet mban përgjegjësi dhe largohet për shkak të statutit. “

 

Vendimi më i rëndësishëm i këtij Kuvendi është shkarkimi i Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të partisë.

 

“Të gjitha vendimet që do të marrim nesër, përfshi dhe vendimmarrjen në lidhje me kryetarin e partisë, i cili në fakt edhe gjatë kësaj kohe ka vazhduar ta rëndojë situatën e tij në raport me Partinë Demokratike duke kërcënuar anëtarët me shkarkim vetëm se nuk i binden atij më. Të gjitha këto e bëjnë atë të japë llogari para Kuvendit nesër.”

 

Pasi të shkarkojë Bashën, Kuvendi do të ngrejë një komision, i cili do të drejtojë partinë deri sa të përfundojë procesi zgjedhor për të gjitha organet.

 

“Ndërkohë, që organi më i lartë drejtues mbetet Kuvendi, ai do të delegojë detyrat për ta drejtuar partinë në një periudhë të shkurtër tranzitore në një organ kolegjial, i cili do të çojë drejt një serie veprimesh rinovimi të mandateve të zgjedhura të PD duke filluar nga baza.”

 

Por e shtuna e 11 dhjetorit nuk shënon fundin e krizës brenda Partisë Demokratike; ende është e vështirë të shihet një rrugëdalje përsa kohë që Kuvendi shkarkon Lulzim Bashën dhe nuk e njeh më për kryetar, ndërsa vetë Basha nuk njeh asnjërin prej këtyre vendimeve dhe ka lajmëruar një tjetër Kuvend në 18 dhjetor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *