Subscribe

Synimi kryesor i Partisë Demokratike është që kur të marrë pushtetin, të bëjë realitet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kreu i PD, Lulzim Basha u takua përfaqësues të Gjermanisë dhe Austrisë dhe u prezantoi atyre planin për të çuar Shqipërinë në BE.

 

“Unë besoj dhe shpresoj që për të përmirësuar jetën e të gjithë shqiptarëve ne duhet të përshpejtojmë dhe të garantojmë rrugëtimin e sigurt drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Unë e di dhe koha ka provuar që kjo është një detyrë e vështirë, ka shumë sfida përballë nesh. Sundimi i ligjit duhet të kthehet në vend. Ne duhet të nisim një luftë të vërtetë dhe një përpjekje kombëtare të vërtetë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve. Kjo nuk ka ndodhur gjatë 8 viteve të shkuara. Nesër për mua dhe për Partinë Demokratike nuk ka mision më hyjnor sesa të përfundojë një nga shtyllat për të cilat u themelua; anëtarësimin e Shqipërisë në Europë. Anëtarësuam Shqipërinë në NATO. Hodhëm një hap domethënës me heqjen e vizave dhe do të bëjmë gjithçka për të përmbushur 15 parakushtet, për të hapur negociatat dhe për të përparuar me shpejtësi në hapjen e negociatave.”

 

Lulzim Basha tha se kur të jetë në qeveri, do t’i shtrijë dorën e bashkëpunimit opozitës për negociatat.

 

“Një Parti Socialiste në opozitë, e reformuar dhe e çliruar nga kthetrat e krimit të organizuar që sot diktojnë edhe listën e kandidatëve të tyre, shpresojë të jetë një partnere e devotshme në rrugën e integrimit Europian dhe nesër në fjalën time të parë si kryeministër do t’i ofrojë dorën e bashkëpunimit pa rezerva dhe çdo konsensus dhe kompromis të mundshëm në politikë të opozitës së nesërme, me qëllim dhe në funksion të arritjes së ëndrrës së gjithë shqiptarëve, për ta bërë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *