Kreu i opozitës Lulzim Basha këtë të shtunë është takuar me strukturat e partisë së tij në Mallakastër, ku është shprehur se kapja me dhunë, thyerja e dyerve, uzurpimi i selive të pushtetit vendor nga bandat e Edi Ramës është e paligjshme dhe kriminale.

 

Ndër të tjera në fjalën e tij kryedemokrati është shprehur se një nga gjërat e para që do të bëjë qeveria e re, e dalë me votë të lirë është që gjithsecili që ka shkelur ligjin dhe është kthyer në vegël të verbër të Edi Ramës, do të mbajë përgjegjësi ligjore.

 

Kreu i opozitës ka thënë se kushdo që ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin pas dekretit të 10 qershorit do të ndëshkohet.

 

 “Mos harroni, duke nisur nga data 11 qershor çdo qindarkë e taksave të shqiptarëve që është harxhuar për procesin kriminal dhe fals të 30 qershorit, është dëm ekonomik. Për çdokënd që ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës, ligji është i qartë. Ju siguroj që me qeverisjen e re dhe prokurorinë e çlirurar nga kapja, gjithsecili prej tyre do të marre atë që meriton para ligjit. Vjedhja është prioriteti i vetëm i Edi Ramës, ka harxhuar 3.2 mln euro pa tender për vetëm për zyrën e tij. Çfarë mendon? Se do ta mbrojë përgjithmonë Ulsi Manja me Arta Markun dhe me Donika Prelën? Jo, jo, do të vijë dita shumë shpejt dhe atë ditë secili prej tyre do të japë llogari para shqiptarëve”.

 

Kryetari i opozitës e konsideroi hap fatal precedentin e kapjes së pushtetit me dhunë nga banda në pushtet.

 

“Popullit sovran i lind e drejta t’i përgjigjet këtij pushteti me të njëjtat mënyra dhe të mbrojë me të njëjtat mënyra kushtetutën dhe ligjin, në Mallakastër, në Fier, në Durrës, në Elbasan, në të gjithë Shqipërinë, por mbi të gjitha në Tiranë, atje ku paligjshmëria ka hedhur rrënjët, atje ku hajdutëria dhe kriminaliteti janë ngritur në fron. Atje, popullit sovran, nëse nuk i hapet rrugë zgjidhjes politike, zgjidhjes që çdo vend tjetër i rajonit e ka patur në kushte akoma më të lehta sesa kriza e sotme shqiptare, një qeverie tranzitore dhe zgjedhjeve të parakohshme, atëhere popullit sovran i lind e drejta ta marrë në dorën e vet zgjidhjen, me të gjitha format, mjetet dhe mënyrat që i gjykon të përshtatshme për të rivendosur demokracinë dhe drejtësinë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *