Lideri i opozitës Lulzim Basha, në mbyllje të viztës së tij në Britani, ka qenë i ftuar në një darkë pune me anëtarë të parlamentit dhe Dhomës së Lordëve në Londër. Në qendër të diskutimeve ishte siguria dhe stabiliteti në Evropën Juglindore dhe kriza politike në Shqipëri.

 

Në fjalën e tij kryedemokrati ka shprehur mirënjohjen e Britanisë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, dhe ka theksuar qëndrimin e qartë dhe të vendosur të Partisë Demokratike se përpjekjet dhe diskursi mbi kufijtë dhe shkëmbimin e territoreve shkon kundër këtyre arritjeve, duke kërcënuar paqen dhe stabilitetin rajonal dhe minuar perspektivën evropiane të vendeve dhe popujve të rajonit.

 

“Autokratët e korruptuar përbëjnë një kërcënim për demokracinë dhe stabilitetin. Kriza e thellë në Shqipëri ilustron qartë se pa demokraci dhe sundim të ligjit nuk mund të ketë stabilitet dhe as zhvillim ekonomik.”

 

Ndër të tjera në këtë takim Basha është shprehur se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë jetike për demokracinë, duke i njohur bashkëbiseduesit me propozimet e PD dhe opozitës së bashkuar për daljen nga kriza përmes një procesi të lirë zgjedhor nëpërmjet një qeverie tranzitore. Kjo qeveri sipas Bashës, do t’i çlirojë duart drejtësisë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të kapur në bashkëpunim me krimin për vjedhjen e zgjedhjeve

 

“Vetëm një qeveri e dalë nga vota e lirë mund të luftojë krimin e organizuar që e ka shndërruar Shqipërinë, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit, në një bazë operacionale të rrjeteve kriminale, që veprojnë nga Amerika në Euroje dhe Lindjen e Mesme”.

 

Gjithashtu lideri i opozitës i ka njohur miqtë britanikë edhe me programin e Partisë Demokratike, në veçanti, me masat që do të marrë përmes vetingut të politikanëve dhe goditjes me tolerancë zero të krimit dhe konfiskimit të aseteve kriminale. Kreu i opozitës shpjegoi se këto masa synojnë t’u japin fund trafiqeve dhe pastrimit të parave të pista të krimit, në mënyrë qe të hapet rruga për Shqipërinë e standardeve evropiane me barazi para ligjit, liri dhe mundësi për të gjithë qytetarët e saj.

 

Ne përfundim, ai shprehu bindjen se me ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar dhe partnerëve tanë strategjikë euroatlantikë,  Shqipëria do ta kapërcejë këtë krizë dhe do t’i japë fund tranzicionit të tejzgjatur përmes reformave të thella politike që do të cimentojnë kontrollin demokratik të qeverisjes nga qytetarët dhe sundimin e ligjit.

 

Në këtë takim ishin pjesë Lordi George Robertson, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe anëtar i Dhomës së Lordëve. Në darkë ishin të pranishëm edhe deputetët Crispin Blunt, Sir Mark Lyall Grant, dhe Gavin Ëilliamson, anëtar i Parlamentit Britanik dhe lidershipit të Konservatorëve dhe ish-ministër i Mbrojtjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *