Nga Alfred Lela

 

Lulzim Basha është thirrur në Prokurori, me kërcënimin ‘të marrim forcërisht’, mu në kulm të betejës së tij më të madhe politike. Ky protagonizëm dhe kërcënim që Basha po i bën sistemit, merr edhe përgjigjet reciproke nga kundërshtarët e tij politikë brenda sistemit. Asnjë alarm, kjo është natyra e politikës, por kjo nuk ka pse të na ndalë të flasim për psetë.

 

Është e ndershme të themi një gjë: Lulzim Basha është lideri më ‘i vetmuar’ i tranzicionit shqiptar. Kjo, e thënë në një kuptim të tipologjisë. Ai është i vetmuar në premisa fizike-institucionale: ka dalë nga parlamenti bashkë me deputetët e tij; si dhe është mu në buzë të humbjes edhe të vjegës së fundit që e mban të lidhur me çfarëdo lloj pushteti: bashkitë, këshillat bashkiakë dhe njësitë administrative. Po në tipologji, në një krahasim të shpejtë, Basha është i ndryshëm nga liderët e deritashëm të Shqipërisë. Me siguri ai është më pak (ose aspak) komunisti nga të gjithë.

 

Aleatët e mëdhenj të Shqipërisë që kanë qenë mbështetësit e tij kryesorë, amerikanët, i ka ‘kundra’, për arsye që ndoshta nuk kanë të bëjnë me të. Për arsye që janë, sa të jashtme, kanë të bëjnë me projeksionin amerikan në Ballkan dhe në botë, sa edhe të brendshme, kanë të bëjnë me pozicionin e Bashës në skakierën danteske të spektrit politik shqiptar.

 

Pavarësisht këtyre premisave, apo këtij konteksti, apo bash prej tyre, Lulzim Basha është në krye të kësaj beteje që mund të jetë edhe lufta e tij finale. Më datë 17 ai është thirrur në Prokurori ‘në emër të Republikës’ dhe të akuzës së saj. Vetëm në dukje kështu.

 

Në tekstin dhe kontekstin e asaj thirrjeje është pikërisht shpjegimi ‘i vetmisë’ së Bashës. Prokuroria dyshon se ka qenë pikërisht Basha, dhe lidhjet e tij në Prokurori dhe media, që ua ka ‘nxjerrë bojën’ duke publikuar në gazetën gjermane BILD një pjesë të regjistrimeve të dosjes ‘339/1. BILD-Leaks ka qenë goditja më e madhe që ka marrë Prokuroria shqiptare, që kur në krye të saj erdhi Arta Marku. Një goditje edhe më të fortë, dhe po aq të drejtpërdrejtë, ka marrë edhe qeveria dhe pushteti i kryeministrit Edi Rama.

 

Këto dy instrumente të pushtetit janë bërë bashkë për të krijuar një kohezion regresiv, dëmtues, anti-demokratik dhe hakmarrës, dhe për të goditur kryetarin e Opozitës. Në proces ata edhe janë vetëgoditur, sepse kanë zbuluar publikisht atë që po publikisht thuhet, se z. Rama e ka në dorë Prokurorinë, e përdor atë për qëllimet e tij, e me radhë.

 

Jo vetëm BILD-Leaks e ka kreshpëruar qëllimin e Prokurorisë kundër Bashës dhe eksponentëve të tjerë opozitarë, por edhe ‘pritja’ që Opozita i ka bërë betimit në Parlament të kryeprokurores së Përkohshme të Përgjithshme, Arta Marku. Sistemi, që kryeministri preferon ta quajë ‘të ri’ duket sikur është ngritur për t’i dalë kundër politikanit më të ri të tranzicionit, atij më pak komunistit, me më pak lidhje me të shkuarën i cili, ndryshe nga shumë, është futur në politikë me dy lekë në xhep, me lekët e tij.

 

Meqë jemi te financat, dhe meqë amerikanët përsërisin shpesh ‘nëse do të zbulosh diçka, ndiq gjurmën e parasë’ (follow the money), duhet bërë pikërisht kjo edhe këtë herë. Duhen ndjekur paratë. Para që kanë shkuar në drejtim të Amerikës, si formë lobimi për kongresmenë, senatorë apo njerëz të Shtëpisë së Bardhë. Lulzim Basha ka dashur një ‘pamje’ favorizuese të administratës amerikane për Partinë Demokratike dhe kauzat e saj, por ta pret mendja, edhe Shqipërinë. E bëjnë këtë të gjitha qeveritë, opozitat dhe kompanitë në botë. Aksesi te administrata amerikane është monedha me vlerën më të lartë në botë.

 

Edhe pse Basha nuk ka arritur, me sa duket, ta sigurojë këtë ‘favorizim amerikan’, nuk ka dyshim: këto janë paratë që Basha dhe Partia Demokratike kanë shpenzuar më mirë në jetën e tyre. Qëllimi ka qenë bindja e vendit më demokratik të botës, partnerit më të mirë dhe më të fortë të Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara, për të dëgjuar një zë. Të gjithë të vegjlit e botës, të gjitha minorancat e kanë bërë këtë. Dhe, Amerika, shpesh, është vonuar, por kurrë nuk ka harruar./ Real Story

One thought on “Basha, ky lider vetmitar

  1. O zot shpetoje Shqiperin.Nje grup njerezish interesant kryesishta gazetar te njohur per opozicion antiqeveritar e vecanti anti Rama po perpiqen te na mushin mendjen se pastrimi I parave te bera nda PD e firmosur nga Basha qenkan bere per te miren e Shqiperis.Kush I ka paguar dollaret,ku jan marre kto para?Tashma FBA ka depozituar praneprokuroris shqiptare fakte e dekumenta zyrtare qe prapa kesaj afere qendron L.Basha.Habitem me ket grup gazetaresh te paftyr qe nje vrasesi e nje hajduti(qe I iku hetimit me raporta mjekesore) nje spiuni(pregaditesi I dosjeve kunder UCK pe gjygjin e Hages) e nje antikombetari (shitja detit Greqis) e tash se fundi personash kryesor i pastrimit te parave te pista ka emrin LULZIM BASHA.Heroj i ketyre “gazetareve” nje person pa identitet,genjeshtar e mashtrues,vrases e spiun e makineri e pastrimit te parave te pistaqe do sjellin “vlerat europiane ne drejtim e politik” na qenka lider i ‘VETMUAR”.e ket lloj mostre te frikeshme per Shqiperin e shqiptarin dojne ta paraqesin si victim e politikes,bile shkojne edhe ma tej,duan qe kete person krejtesisht negative te kene kandidatur te drejtoj Shqiperin??Ai nuk ishte i zoti te drejtoj Tiranen e jo ma Shqiperin.Nuk di a do arrestohet apo do hetohet per veprimin e tij te pastrimit te parave pornjesend qesharake dime saktesisht.Fajin per tu marr si i pandehur per pastrim paresh te pista e paska A.Marku e E.Rama!!!!!!Lulezim Basha duhet patjeter e me cdo kusht te hetohet e jo ti largohet hetimit .Kam pershtypjen se L.Bashado jete banori i pare nga politikanet elarte abuzues shqiptar qe “kalojne pushimet” ne burgun e Recit.Paste kamben e mbare.Kam nje pyetje gazetar te nderuar:Si do ta quani aktin e pastrimit te parave nga pd e L.BASHA,akt per te miren e shqiperis e te shqipetareve apo veprim banditesk e mafjos i “vlerave europiane” i pastrimit te parave te pista? Zoti e shpetofte Shqiperin nga ky njeri qe quhet Lulezim Basha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *