Subscribe

Kreu i PD, Lulzim Basha kujtoi këtë të hënë 22 marsin e vitit 1992, kur Partia Demokratike mori pushtetin.

 

Në një aktivitet të organizuar për këtë datë, Basha deklaroi se rrugëtimi i PD nuk ka qenë i lehtë.

 

Ai renditi të gjitha punët, që sipas tij, u bënë gjatë qeverisjes demokratike.

 

“Pas një terri të gjatë dhe pas një rrugëtimi në tunel të errët, drita e shpresës shënoi fillimin e udhëtimit tonë drejt Shqipërisë europiane. Fitorja e parë e zgjedhjeve nga Partia Demokratike, është një ditë domethënëse jo vetëm për ne demokratët, po për të gjithë shqiptarët. Ajo ishte ora e ndarjes përfundimtare me diktaturën dhe fillimi i një procesi të ri, vërtet të gjatë dhe të lodhshëm, por të domosdoshëm për një vend që aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian. 22 Marsi, kjo ditë e shpresës, ditë e fitores, kthehet sot në një frymëzim dhe angazhim të ri për ne që të japim gjithçka që kemi për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë. Rrugëtimi ynë nuk ka qenë i lehtë. Ka patur dhe padyshim që do të ketë vështirësi edhe në të ardhmen, por ne demokratët kemi treguar që jemi seriozë dhe këmbëngulës në ato që bëjmë. Gjatë qeverisjes tonë, ne iu mundësuam shqiptarëve lëvizjen e lirë dhe pa viza në Europë. Ne e anëtarësuam Shqipërinë në NATO. Ne e afruam vendin edhe më shumë me Bashkimin Europian ku sot për fat të keq e shohim që ky proces ka 8 vite që ka ngecuar në vend për shkak të keqqeverisjes, për shkak të një kryeministri që mendon vetëm për veten dhe për oligarkët e tij.”

 

Lideri i opozitës tregoi se misioni i tij i vetëm është që të çlirojë Shqipërinë nga qeverisja socialiste, që sipas tij, është një e keqe që po mban peng vendin.

 

“Sot ne bashkohemi të gjithë me një mision të vetëm: ta çlirojmë Shqipërinë nga kjo e keqe që e ka mbërthyer dhe që e mban peng. Sot së bashku me ju, të gjithë që jeni të pranishëm në këtë takim mbi themelet që u ngrit dhe qëndron fort kjo parti me aspiratat tuaja, me fëmijët tuaj, me fëmijët e gjithë Shqipërisë, ne do ta bëjmë realitet këtë ëndërr të shqiptarëve.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *