Partia Demokratike po vijon prej 18 ditësh protestën e saj në çadrën e vendosur para selisë së Kryeministrisë.
Në fjalën e mbajtur në takimin e radhës me mbështetës të opozitës, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ripërsëriti kauzën për zgjedhje të lira e të ndershme, që mund të garantohen vetëm përmes krijimit të një qeverie teknike.
“Kjo betejë nuk bëhet që PD të fitojë pushtetin në tavolinë, por kjo bëhet për çdo shqiptar dhe për brezat që do të vijnë. Nuk duam dhe nuk do të pranojmë kurrë pushtet në tavolinë. Duam zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes një qeverie të palidhur me krimin dhe të palidhur me drogën”, u shpreh Basha.
Në ditën e 7 Marsit, festës së Mësuesit, kreu i PD-së, u ndal dhe tek arsimi në katër vitet e qeverisjes së majtë, i cili sipas tij, “ka njohur ditët e tij më të errëta”. Basha tha se kurrë më parë në histori nuk ka rënë kaq poshtë figura e mësuesit dhe pedagogut.
“Kurrë më parë nxënësit nuk kanë qenë kaq të braktisur dhe të harruar, nga një qeveri që ka ngritur në piedestal modelin e krimit dhe kriminelit në pushtet” u shpreh ai. Kreu i PD-së solli në vëmendje se kombi shqiptar është kombi që harxhon më shumë për arsimin se çdo komb tjetër europian, pasi e dimë që rruga drejt të ardhmes kalon përmes dijes, arsimit dhe shkencës.
Por përkundër këtij modeli, shtoi Basha, Rama vuri përballë antimodelin e kriminelit në pushtet.





