Subscribe

Kryetari i PD, Lulzim Basha është takuar me biznese të prekura nga tërmeti në Durrës, ku ka theksuar se ata duhet të përfitojnë lehtësi nga qeveria.

 

Duke sjellë në vëmendje paketën me pesë pika të propozuara javën e kaluar, Basha tha se vetëm përmes zbatimit të saj biznesi do të përfitojë lehtësi fiskale.

 

“Të gjitha bizneset; bizneset e vogla, bizneset e Durrësit duhet të përfitojnë nga masa lehtësuese. Kështu ka ndodhur kudo kur janë goditur ekonomitë lokale nga tërmeti. Durrësi nuk është thjesht ekonomi lokale, është ekonomia e dytë më e madhe pas Tiranës. Po u fut Durrësi në kolaps ekonomik të thellë për shkak të tërmetit, se në kolaps ekonomik kemi qenë edhe përpara tërmetit, atëherë e merr gjithë Shqipërinë me vete. Prandaj kemi propozuar ato 5 masa:

  1. Pezullim të faturave të energjisë dhe të ujit.
  2. Pezullim të të gjitha taksave vendore, duke përfshirë taksën e pronës,
  3. Pezullim dhe shtyrje e pagesës me këste të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore
  4. Anulim i çdo takse të tatim-fitimit apo taksa të tjera për të gjithë kohën derisa situata të normalizohet.
  5. Përjashtim nga TVSH për lëndët e para dhe materialet që përdoren për rikuperimin e dëmeve. “

Këto pesë pika i japin mundësi biznesit ta mbajë kokën mbi ujë”, – u shpreh zoti Basha.

 

Basha tha se nëse nuk zbatohet kjo paketë biznesi do të vuajë pasoja të rënda. Për ta konkretizuar Basha solli para biznesit rastin e Italisë e cila para dy vitesh u godit nga tërmeti.

 

“Veprimtaria juaj fiskale duhet pezulluar. Shteti s’mund t’ju marrë asnjë cent, s’mund t’ju tatojë gjatë kohës që ju nuk punoni. Dhe kjo nuk është mëshirë, kjo është normale. Si mund të tatosh një biznes që nuk punon për shkak të një fatkeqësie natyrore?! E dyta duhet të keni mundësinë që të mbështeteni në të njëjtën mënyrë si banorët dhe banesat për rimëkëmbjen e biznesit. Në Itali, ku ra tërmeti i madh para dy vjetësh, bizneset janë mbështetur deri në 100% të vlerës së dëmit, njësoj si banesat.”

 

Për Bashën situata është e pasigurtë pasi ende nuk ka qartësi se çfarë po ndodh me procesin e vlerësimit të banesave.

 

“Kjo situatë e pasigurisë është e papranueshme, sepse po hyjmë në javën e tretë. Duhet të ketë qartësi se çfarë po ndodh, dhe qartësia fillon me vlerësimin e çdo banese. Pa vlerësuar banesat, ju nuk mund të keni qartësi. Tani këta duhet të transferojnë fondet, se nuk ka gjendje emergjence pa fonde. Të marrin ato 150 milionë dollarë të oligarkëve dhe t’i kalojnë në dispozicion të situatës së tërmetit.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *