Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi u prezantua këtë të shtunë si drejtues politik në qarkun e Elbasanit. Numri dy i demokratëve akuzoi qeverinë se gjatë këtyre viteve ka punuar vetëm për një grusht njerëzish. Sipas Bardhit, kjo gjë do të ndryshojë në 25 prill.

 

“Njerëzit me pushtet kanë përfituar gjithçka në këto dy mandate. Para, influencë, territor, dhe kanë sunduar me forcë mbi pjesën tjetër. Përfytyroni se si një njeri i vetëm vendos për gjithçka, për punësimin, për tenderat, për shpërndarjen e favoreve, per ndihmen ekonomike, të gjitha këto sipas interesave personale. A mundet që një qark i tërë me rreth 450 mijë banorë të punojë për një grusht njerëzish. Përpos se padrejtësi, është edhe fyerje. Elbasani i dijes, i urtësisë, i edukimit, i kontributit madhor në histori, të shndërrohet për 8 vite në provincën ku sundon një bandë që grabit gjithçka. Me 25 prill, Elbasani, Librazhdi, Përrenjasi, Gramshi, Belshi, Cerriku, Peqini, do të çlirohen nga këta pushtues. Eshtë nderi më i madh që më është bërë të jem drejtuesi politik i fushatës në këtë qark, për Partinë Demokratike. Përgjegjësi po ashtu tejet e madhe. Sfidë që më mbush me energji dhe entuziasëm.”

 

Gazment Bardhi premtoi ndryshimin për Elbasanin pas zgjedhjeve të prillit. Sipas tij, njerëzit mezi po e presin këtë ditë.

 

“Me Partinë Demokratike, Elbasani do të fitojë vendin që i takon, do të dalë nga varfëria e do të gëzojë potencialin që e ka. Projektet e zhvillimit do të zëvendësojnë pazaret. Merita do të sjellë në krye më të mirët, më të zotët. Sundimi do të zevendësohet me llogaridhënien ndaj qytetarëve. Këtu në zemër të Shqipërisë, “rilindja”, do të marrë një goditje të fortë. Jam i bindur se qarku Elbasanit do të jetë në vijën e parë të ndryshimit. Njerëzit mezi po presin. Të bashkuar si asnjëherë tjetër dhe në krah të qytetarëve ne do të sjellim qeverisjen dhe rendin që e meritojnë banorët e mrekullueshëm të këtij qarku, prindërit, të moshuarit, të rinjtë e të rejat, fëmijët që kanë ëndrra për një ardhme më të mirë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *