Gazmend Bardhi reagon në Kuvend pas fjalës së Ramës: “Ftesa për Bord të Paqes është për Shqipërinë, jo personale për kryeministrin”
Pas fjalës së kryeministrit Edi Rama në seancën parlamentare, kryetari i grupit pralamentar të PD, Gazmend Bardhi, mori fjalën në Kuvend dhe përgënjeshtroi kryeministrin.
Bardhi theksoi se ftesa për Bord të Paqes është drejtuar Shqipërisë dhe jo Ramës personalisht: “Në bord është ftuar Shqipëria. Nëse ftesa do të ishte personale për ty, çfarë halli ke që kërkon ta shkruash emrin në ligj. I vetmi kryeministër në botë që ka pritur në zyrë kartelet e drogës dhe i vetmi pas Maduros i identifikuar me zë dhe figurë për bashkëpunim me kartelet e drogës.”
Bardhi:
I bëra një pyetje kryeministrit dhe nuk mora përgjigje: Pse sot nuk je në Davos dhe pse Shqipëria nuk përfaqësohet në këtë aktivitet nga më të rëndësishmit botërore? Ai bëri sikur nuk e dëgjoi pyetjen dhe dha një përgjigje aspak serioze, se një kryeministër paska zgjedhur një investim amerikan privat në Shqipëri. Por gënjeu, sepse takimi ka qenë dje, dhe mund të ishe nisur me avionin tënd privat për të arritur në themelimin e Bordit të Paqes.
I vetmi lider që na ka bërë krenar nga Ballkani Perëndimor ka qenë presidentja Vjosa Osmani. Pse nuk je? Pse nuk je për të nënshkruar atë për të cilën të ka autorizuar Bajram Begaj? Nuk të ka zgjedhur askush. Po tenton të zgjedhësh veten. Nëse ishe i zgjedhur personalisht nga presidenti Trump, çfarë nevoje kishe që të luteshe Elsiës?
Në bord është ftuar Shqipëria. Nëse ftesa do ishte personale për ty, çfarë halli ke që kërkon ta shkruash emrin në ligj? I vetmi kryeministër në botë që ka pritur në zyrë kartelet e drogës. Je i vetmi pas Maduros i identifikuar me zë dhe figurë për bashkëpunim me kartelet e drogës.
Ne kemi thënë që ti ke gënjyer kur ke marrë ftesë personale. Është një ftesë drejtuar Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes. Një ftesë të tillë e kishin marrë dhjetëra shtete, përfshirë Rusinë e Putinit.
/vizionplus.tv





