Bardhi i përgjigjet Lleshajt: Policia u soll si hordhi pushtuese, ishin të armatosur

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ju kundërpërgjigj ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj për reagimin e këtij të fundit për policinë.
Bardhi tha se Lleshaj meriton vetëm përbuzje sepse po merr përsipër rrahjen e artistëve dhe qytetarëve.
“Me kaq urrejtje sa ka ndaj opozitës dhe qytetarëve që nuk i binden paligjshmërisë dhe vjedhjes, Sandër Lleshaj, meriton vetëm përbuzje dhe përçmim. Ky kriminel gjakftohtë që merr autorësinë e rrahjes barbare të artistëve, të studentëve dhe të opozitës është metastazë e regjimit kriminal dhe të korruptuar të Edi Ramës.”
Reklamë
Policinë tek Teatri Kombëtar Bardhi e sheh si një hordhi pushtuese që kërkonte të frikësonte protestuesit.
“Është fakt se tek Teatri Kombëtar policia u soll si hordhi pushtuese. Është fakt se policët ishin të armatosur, duke patur si skenar terrorin me armë të njerëzve në mbrojtje të Teatrit. Është fakt se njerëz të veshur me uniformën e policisë nuk kishin simbolet identifikuese të policisë. Këta nuk janë Policia e Shtetit, por janë të njëjtët njerëz, ushtarë të bandave kriminale, që kanabizuan Shqipërinë. Por fatmirësisht ato janë pakica, njëlloj siç sot është Edi Rama dhe Qeveria e tij.”
Ministri Lleshaj tha gjatë kësaj të marte se policët kanë vepruar sipas ligjit dhe jo sipas urdhrave të dhënë nga shefat.




