Drejtuesi Politik i PD në Elbasan, Gazment Bardhi deklaroi se nëse opozita nuk mban premtimet para qytetarëve, nuk do të kërkojë më një mandat tjetër qeverisës.

 

Gjatë një takimi me banorët e Gramshit, Bardhi tha se llogaridhënia do të sjellë zhvillim. Ai theksoi se ka ardhur koha që t’i jepet fund votimit me tifozllëk.

 

“Socialistët e thjeshtë janë ndjerë të braktisur po ashtu, e kanë mllef e zhgënjim dyfish krahasuar me demokratët, edhe për faktin se i kanë dhënë besim. Dhe ajo që të gjithë bashkë do të duhet të bëjmë, pas 30 vitesh demokraci, është shumë e thjeshtë. Vjen këtu, merr ca angazhime  përpara jush, dhe duhet pas 4 vitesh të bësh bilancin e angazhimeve që ke marrë përsipër. Qofsh demokrati më i thekur i fshatit, pas 4 vitesh, nëqoftëse unë, Dr.Fadili dhe Partia Demokratike nuk mbajmë angazhimet, nuk duhet të votoni më për PD. E njëjta gjë vlen edhe për socialistët; nëse kanë 30 vjet që i japin besim në shumicë dërrmuese Partisë Socialiste, dhe s’kanë marrë mbrapsht asnjë shërbim, nuk mund të votojnë sërish PS-në thjesht për inerci, se janë socialistë. Se vetëm kur të gjithë ne bashkë ta konsiderojmë politikën llogaridhënie, e shërbim ndaj njerëzve, të jeni të sigurt se do të jemi të gjithë më mirë. Nuk mund të jemi më mirë qoftë se votojmë me tifozllëk. Nuk do jemi kurrë më mirë nëse votojmë për partinë duke mos menduar familjen tonë e fëmijët tanë. 25 Prilli është moment ku nuk mendojmë partinë, por mendojmë familjen, mendojmë veten, mendojmë t’i japim mësim cilitdo që guxon të sillet si këta; që shtyp të pamundurin për të fryrë nga xhepat 10 njerëz, që varfëron popullin me idenë që do ta blejë ditën e zgjedhjeve. Prandaj, duhet të jemi të gjithë bashkë, të mendojmë në radhë të parë për veten, të votojmë për veten e të votojmë për atë që ka plan konkret pune.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *