E shtunë, 3 Tetor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 02:10 Në vijim ora 02:10: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Sport

Barca-Inter, spektakël për një barazim! Inter del “gjallë” nga Katalonja, Yamal “çmend” botën me golin dhe klasin e tij

Nga Ervin Sina 

Barazim spektakolar 3 me 3 në aktin e parë gjysmëfinales të supersfidës Barcelona–Inter në Ligën e Kampionëve.

Reklamë

Një ndeshje e mrekullueshme transmetuar në Vizion Plus dhe Tring, e cila mbajti të mbërthyer të apasionuarit pas futbollit.

Nisja e mrekullueshme e ndeshjes nga Interi që shënoi dy gola në pak minuta nuk i mjaftoi zikaltërve që të befasonin katalanasit, të cilët falë kualiteteve të jashtëzakonshme në ekip, ia dolën të paktën ta mbyllin në barazim sfidën duke lënë gjithçka të hapur për kualifikimin për në finalen e Champions-it.

I rikthyeri Markus Turam çoi në ekstazë tifozët e Interit me golin spektakolar me finte që në sekondën e 30-të duke e bërë golin më të shpejtë në një gjysmëfinale Champions-i.

Barcelona pati një mundësi të artë për të barazuar në minutën e 12-të me Ferran Torresin që goditi ngjitur me shtyllën, por ndërkohë që katalanasit rriteshin dhe dominonin lojën, Interi goditi sërish, këtë herë me një gol të bukur të Dumfris në gjysmëroveshatë.

Mirëpo nëse në shifra të tilla krijon iluzionet e një suksesi që shkon tej ëndrrave më të bukura, nuk i ke bërë mirë llogaritë me një personazh që po iluminon botën e futbollit ende pa u diplomuar në shkollën e mesme.

Lamin Jamal la shenjën e tij përmes një magjie që do të mbahet mend gjatë për klasin e treguar në realizimin e golit që hapi ndeshjen në minutën e 25-të… Thjesht fantastik… Me të kaluar pak, shumë pak, gjeniu i La Masias ishte fare pranë një tjetër mrekullie, por Zomer reagoi në mënyrë fantastike.

Barcelona është asfiksuese dhe italianët duhet t’i gëzohen pritjeve të Zomer në dy raste ndaj Dani Olmos… por në të 38-ën zvicerani nuk kishte asnjë shans në golin e barazimit të Ferran Torres në fund të një aksioni me protagonist Pedrin dhe Rafinjen.

Në nisje të pjesës së dytë Interi humbi shërbimet e Lautaro Martinez, por fitoi më shumë guxim për t’i përgjigjur veçanërisht në kundërsulme Barcelonës e cila mbrojtjen e ka horror dhe këtë e dëshmoi edhe tek goli i tretë i shënuar sërish nga Dumfris.

Mirëpo ndeshja ishte vërtet spektakolare dhe pas 2 minutash një supergol i Rafinjes ndihmuar nga devijimi vendimtar i topit nga Zomer riktheu baraspeshën në 3 me 3.

Ka kohë në vazhdim për një gol të anulluar nga sistemi VAR ndaj Mikitarian në kufijtë e absurditetit, edhe pse i parregullt… Pastaj në fund Interi ishte me fat që në dy raste traversa e Jamal dhe goditja e Rafinjes nuk shkuan në rrjetën e Jan Zomer… Të martën e ardhshme në San Siro… pjesa e dytë e spektaklit… ku medoemos duhet të ketë një fitues.

Vazhdo të lexosh

Reklamë