Hapja e Unazës së Madhe në 31 dhjetor për qarkullimin, ka shtuar inspektimet e ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku në terren. Ministrja ishte në lotin 2 ku punimet janë në fazën finale të asfaltimit.
“Rëndësi ka që të gjitha lotet të jenë të gatshme për akses të automjeteve, duke pasur të përfunduar edhe pjesën e sinjalistikës, edhe pjesën e barrierave të zhurmës dhe gjithçka tjetër e cila është e domosdoshme. Padyshim do të ngelen detaje të vogla të cilat ne do të vazhdojmë që ti plotësojmë, por e gjithë kjo pjesa e paketës së madhe duhet të jetë e përfunduar për datën 31 dhjetor që gjithë kjo unazë tashmë të lidhet, duke pasur parasysh që kemi pasur një progres të mirë edhe në pjesën e “Pallatit me Shigjeta”, aty ku janë nyjet lidhëse dhe ajo është një nga nyjet më të rëndësishme”, nënvizoi Balluku.
Për realizmin e projektit në këtë lot ka pasur disa kompleksitete, duke nisur me procesin e shpronësimeve për shkak se shumë prej njësive të banimit ishin pa dokumente, si dhe prezenca e madhe e linjave të transmetimit dhe rrjetit të shpërndarjes së energjisë.
Ministrja Balluku përsëriti qëndrimin e saj se unza do të jetë e hapur për qytetarët në fund të dhjetorit./vizionplus.tv




