Balla: Deri në samitin e Zagrebit, do të ketë reflektim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka deklaruar se pavarsisht përgjigjes që morën nga BE, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të mos humbin aspak kohë por të vazhdojnë me reformat e nisura.
Gjatë pjesmarrjes në seminarin e organizuar nga OSBE/ODIHR “Drejt parlamenteve me ndjeshmëri gjinore në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut”, Balla është shprehur se ka besim se deri në samitin e Zagrebit, do të ketë reflektim dhe të dy vendet do të nisin procesin e bisedimeve për anëtarësim
“Kam besimin se deri në samitin e Zagrebit, do të ketë reflektim dhe të dy vendet do të nisin procesin e bisedimeve për anëtarësim. Vendimi i Këshillit Europian, apo mos vendimi për të qenë korrekt, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk mori parasysh aspak progresin me reformat kryesore të bëra nga të dyja vendet gjatë viteve të fundit. Por ne gjithsesi duhet të vazhdojmë reformat e ndërmarra. Dua ta nënvizoj se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet t’i jenë mirënjohës Gjermanisë dhe Kancelares Merkel, për atë që udhëhoqi në Këshill, sepse Gjermania bashkë me 24 vende të tjera që ishin PRO fillimit të bisedimeve për anëtarësim”.
Gjithashtu në fjalën e tij para të pranishmëve kreu i grupit të PS-së ka vendimin e Bundestagut gjerman dhe detyrat e lëna, ku theksoi se ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë një çështje e rëndësishme.
“Brenda dhjetorit të këtij viti ne do të kemi miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Meqenëse në këtë tryezë ka përfaqësues të shumicës por edhe të opozitës parlamentare, unë dua të shpreh nevojën që Shqipëria, brenda dhjetorit të miratojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Këto janë pjesë edhe e detyrave të përcaktuara edhe nga Bundestagu, sepse nuk ka një matricë më të mirë të vlerësimit të progresit të Shqipërisë në rrugën e hapjes së negociatave, se sa vendimi i Bundestagut gjerman.”
Ndër të tjera Balla u ka bërë apel forcave politike të përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë,që përtej interesave politike që kanë duhet të jenë të vëmendshëm në adresimin e nevojave të ndryshimit të Kod Zgjedhor të rekomandimeve të ODIHR-it.




