Për herë të parë pas 68 vitesh, “Shkolla e Baletit” në Tiranë hap dyert për nxënësit e klasës së parë.
Një hap i rëndësishëm për institucionin ku janë formuar breza të tërë artistësh, e që tani u jep fëmijëve mundësinë që në moshë të vogël.
Sara është një prej vogëlusheve që ka zgjedhur ta nisë këtë rrugëtim të veçantë në bankat e kësaj shkolle.
“Mua më ka pëlqyer Shkolla e Baletit prandaj zgjodha dhe klasën e parë. Mua më ka sjellë mami dhe babi sepse mua më pëlqen shumë baleti”, thotë Sara Harizi, nxënëse e klasës së parë.
“Mami im ma zgjodhi klasën e parë të shkollës së baletit. Po i kam qejf të gjithë fëmijët dhe u them të bëhemi shoqe”, thotë Lidia Fidhouse, nxënëse në klasën e parë.
Ndërsa Troi, ka ardhur posaçërisht nga Amerika për të ndjekur mësimet këtu.
“Kam ardhur nga Amerika që të mësoj në shkollën e baleitt. Nuk është si shkollat e tjera që ka nxënës më të mëdhenj edhe sepse ka klasa të para”, thotë Troi Beja, nxënës i klasës së parë.
Për drejtoreshën e shkollës, Blerina Arbana, ky vendim shënon një kapitull të ri në historinë e institucionit.
“Është një shkollë me cikël të mbyllur, pra nxënësi atashohet më shkollën tonë nga klasa parë deri në klasë të 12, ku merr diplomën e maturitëtit dhe është i aftë për të performuar në skenat më prestigjoze brenda dhe jashtë vendit. Në të gjithë globin jemi 5 shkolla dhe një prej ketyre është shkolla e baletit që funksionon me të dyja kulturat”, thotë Arbana.
Për të gjithë skeptikët mbi nisjen e baletit që në moshë të hershme, ajo sqaron alternativat që ofron kjo shkollë.
“Edhe unë kam qenë skeptike sikundër edhe shumë mësues të Shkollës së Baletit. Do të funksionojë me vonë edhe në klasa paralele. Një klasë do të jetë vetëm me kulturën e përgjigje dhe baletin ta zhvillojë si hobi, dhe një klasë tjetër që do të jetë për nxënësit e baletit klasik modern e kështu me rradhë”, thotë Arbana.
Shkolla ofron një kombinim mes njohurive të përgjithshme dhe atyre të artit të baletit.
Aktualisht janë 11 nxënës që ndjekin klasën e parë, ndërsa regjistrimet vijojnë të mbeten të hapura./vizionplus.tv





