Tre ndryshime janë konfirmuar në listën e Kombëtares para ndeshjeve me Gjibraltarin dhe Letoninë në 4 dhe 8 shtator.
Bie në sy më së shumti lajmi befasues për largimin njëherë e mirë nga Kombetarja jonë e Adrian Bajramit.
Mbrojtësi ka luajtur për kombëtaren shpresa të Shqipërisë ndërsa me ekipin e parë ka luajtur në tre miqësore. Ai ka shfrytëzuar faktin që nuk ka pasur asnjë aktivizim në ndeshje zyrtare dhe ka njoftuar Federatën Shqiptare se nuk do të vijë më tek kuqezinjtë por do të luajë për Zvicrën.
23-vjecari ka lindur ne shtetin helvet. Ai luajti me të rinjtë e Jang Boys para se te kalonte tek Benfika në Portugali. Klubi luzitan e dha në huazim së fundmi tek Lucerna në Zvicër ku Bajrami nisi të luante titullar.
Mirëpo duket se pakënaqësia e mosaktivizimit nga Silvinjo ka bërë që mbrojtësi të njoftonte vendimin surprizë për të ikur nga kombetarja kuqezi.
Trajneri Silvinjo e ka zevendesuar me mbrojtësin Maldini Kaçurri pjesë e Arsenal. Ai ftohet për herë të parë në ekipin e parë pasi më herët ka qenë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave U-17, U-19 dhe U-21 të Shqipërisë.
Po ashtu në dy takimet e radhës do të mungojë i dëmtuari Ylber Ramadanit, dhe në vend të tij është ftuar Enis Çokaj, mesfushor i Levadiakosit në kampionatin grek, që ka qenë edhe më parë pjesë e Kombëtares A, ku numëron 5 ndeshje.
Një tjetër lojtar që do të mungoje tek kuqezinjte është edhe Ernest Muçi, i cili ka dhimbje të mesit. në vend të tij Silvinjo ka vendosur të thërrasë sulmuesin Kristian Shpendi, i cili grumbullohet për herë të parë me Kombëtaren A, pas aktivizimeve me ekipet kombëtare të moshave U-19 dhe U-21.
Shpendi shkëlqeu sezonin e kaluar tek Cezena në Serinë B. Kuqezinjtë janë grumbulluar në Malaga të Spanjës për tu pergatitur për miqësoren në transfertë kundër Gjibraltarit me 4 shtator. Në 8 shtator do të luhet ndeshja kualifikuese e botërorit kundër Letonisë në Tiranë.





