Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka ankimuar përmes avokatit të tij masën e dhënë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, masë e cila e la pas hekurave në datën 10 shkurt.
Mbrojtja e Veliajt ka depozituar ankimin në Apel përmes postës me datë 14 shkurt, vetëm dy ditë pasi togat e zeza e lanë në qeli kryebashkiakun. Nga ana tjetër mbrojtja nuk ka depozituar ankim për bashkëshorten e veliajt, Ajola Xoxa e cila është në masën ‘detyrim paraqitjeje’.
Veliaj është nën akuzë për dy vepra penale, korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Në sallën e gjyqit Veliaj i ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke e quajtur një gjyq politik 3 muaj para zgjedhjeve dhe hakmarrje nga ana e prokurorit Ols Dado.
Sipas dosjes së SPAK kyebashkiaku akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Biznesmeni Elman Abule ndërkohë akuzohet për pastrim parash dhe ndodhet në qeli, ndërsa mbi 5 biznesmenët e tjerë rëndon korrupsioni aktiv.
Referuar po kësaj dosjeje sipas SPAK, Veliaj dyshohet se krijoi një skemë korruptive, mes kompanive të bashkëshortes dhe 6 biznesmenë që kanë përfituar shuma të mëdha parash.
Organi i hetimit shprehet në dosje se Veliaj ka miratuar shpërndarjen e fondeve publike si dhe lejet e ndërtimit tek këta biznesmenë, të cilët sponzorizuan disa organizata jo fitimprurëse, me fonde që në fakt sipas SPAK, përfunduan në llogaritë e bashkëshortes se Veliajt, Ajola Xoxa.
Ndërkohë Veliaj edhe përmes rrjetit të tij social nga qelia ka reguar duke thënë se kjo është një hakmarrje e prokurorit të çështjes Ols Dado për cështjen e një lejeje ndërtimi.
/vizionplus.tv