Avioni i rrëzuar në Ishëm, nuk ka marrë leje pranë autoriteteve shqiptare për të fluturuar. I kontaktuar nga Vizion Plus, Autoriteti i Aviacionit Civil, thotë se kërkesa për të bërë ulje të çdo lloji në tokën shqiptare paraqitet 48 orë para, ose në rastet më emergjente 12 orë më parë. Kjo nuk ka ndodhur me fluturimin e fundit të pilotit Guido Guidi. Aviacioni Civil Shqiptar sqaron se ky lloj mjeti, nuk rezulton të jetë futur ligjërisht në tokën hapësirën shqiptare, e më pas të ketë bërë fluturim të pa njoftuar. Qëndra, e cila merret me uljet e emergjencave në hapësirën shqiptare është ajo e “Albcontrol”, e cila ka operatorë që ofrojnë shërbimin e trafikut ajror në 24 orë, por as “Albcontrol”, nuk ka marrë një kërkesë që avioni i tipit Piper të bëjë ulje të detyruar. Zyrtarisht, Autoriteti i Aviacionit Civil, shprehet se nuk mund të monitorojë të gjithë hapësirën ajrore, pasi ajo ndahet në nivele sigurie për Ministrinë e Brendshme dhe atë të Mbrojtjes. Pajisja me radarë, të cilët mbajnë në mbikëqyrje ajrin në të gjithë hartën e Shqipërisë ka një kosto që shkon nga 40 në 100 milion dollarë. Aviacioni Civil ka dërguar organin e investigimit të aksidenteve, për të bërë një raport mbi shkaqet teknike se përse është rrëzuar avioni “Piper”. Ky raport do t’i shkojë me pas prokurorisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *