Përdorimi i tepruar i pajisjeve digjitale dhe ekspozimi i gjatë ndaj ekraneve ka bërë që tek shumë fëmijë të shfaqet autizmi virtual, simptoma e të cilit janë të ngjashme me atë klinik. Por çfarë thonë ekspertët për këtë fenomen?
“Autizmi virtual quhet i tillë sepse shkaktohet nga teknologjia, pra qëndrimi i gjatë përpara pajisjeve digjitale bën që të kemi disa simptoma që mund të ngjasojnë me ato të autizmit klinik. Shenjat që mund të shikojmë mund të jenë mungesa e kthimit të kokës në rast se ne i thërrasim në emër, mund të kenë vështirësi, shpërthime ose grindje të vogla, mund të kenë vështirësi në komunikim, ndonjëherë nuk kanë fare komunikim deri në 3 ose 4 vjeç”, shprehet mjekja logopede, Lusiana Brahimaj.
Specialistët logoped shpjegojnë se autizmi virtual, ndryshe nga ai klinik, mund të trajtohet. Ata këshillojnë prindërit që t’u reduktojnë sa më shumë fëmijëve kohën e qëndrimit para ekraneve dhe t’i angazhojnë në aktivitete fizike.
“Po, patjetër, nëse kohëzgjatja nuk ka qenë shumë në vite. Pra, 3-4 vite dhe nga 3-4 orë në ditë, mund të jetë më e lehtë. Edhe në këto raste, ne i trajtojmë.”
E ndërsa një në 31 fëmijë po lind me çrregullime të spektrit të autizmit, kërkohet më shumë mbështetje nga ana e strukturave shtetërore për të gjitha ato familje që luftojnë me këtë sëmundje.
/vizionplus.tv