Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të martë në qytetin e vogël Porepunkah në shtetin e Viktorias, Australi, ku dy oficerë policie kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur gjatë një shkëmbimi zjarri.
Sipas autoriteteve, policët kishin shkuar në një pronë rurale, rreth 300 kilometra në verilindje të Melburnit, për të ekzekutuar një urdhër-arresti. Gjatë operacionit ka shpërthyer një incident i armatosur, i cili ka përfunduar tragjikisht. Ende nuk raportohet për ndonjë arrestim, ndërsa policia e Wangaratta ka bërë të ditur se situata mbetet ende “aktive” dhe u ka bërë thirrje banorëve të shmangin zonën.
Ambulance Victoria njoftoi se një person është trajtuar për plagë të rënda në pjesën e poshtme të trupit dhe është transportuar me helikopter në gjendje të qëndrueshme.
Masat e sigurisë janë rritur menjëherë: Këshilli lokal mbylli të gjitha objektet publike, ndërsa shkolla fillore e Porepunkah-ut u fut në izolim për disa orë. Edhe aeroporti i qytetit është mbyllur, me përjashtim të përdorimit nga policia dhe shërbimet emergjente.
Në zonë raportohet një prani e madhe policore, me rreth 50 efektivë në uniformë dhe civilë, si dhe me përdorimin e qenve të policisë për hetimet.
Kryeministrja e Viktorias, Jacinta Allan, shprehu ngushëllimet për viktimat, duke theksuar “trimërinë dhe guximin e jashtëzakonshëm” të forcave të rendit. Edhe kryeministri australian, Anthony Albanese, reagoi duke thënë se mendimet e tij janë me policinë, e cila “çdo ditë rrezikon jetën për të gjithë”.
/vizionplus.tv





